Kapet 7 kg kokainë në furgon në Portin e Durrësit. Dy kushërinj në pranga. Emrat

Kapet 7 kg kokainë në furgon në Portin e Durrësit.

38-vjeçari Arjan Doci dhe 39-vjeçari Mentor Çuni ranë në prangat e policisë pasi policia kufitare në portin e Durrësit zbuloi se në furgonin e mallrave të tyre kishte të fshehura 7 pako kokainë.

Arjan Doci dhe Mentor Çuni rezultojnë të jenë kushërinj, djem tezesh. Gjatë kontrollit të detajuar kokaina u gjet brenda fundit të dyfishtë të krijuar në këtë furgon mallrash, poshtë sediljes së shoferit.

Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për mos t’u kuptuar nga qentë anti-droge.

Furgoni ku u gjet kokaina i përkiste kompanisë “Bledi Trans”, e cila transportonte sende dhe pako nga komuniteti shqiptar në Angli dhe i sillte ne Shqipëri. Furgoni ndiqte itinerarin Shqipëri – Itali – Angli.

‘Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi A. D.

Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit;

-M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në drejtimin Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim’.