Elbasan/ Kërcënuan me jetë pronarin e mobilerisë duke i kërkuar t’i japë 4000 euro, arrestohet në flagrancë duke marrë paratë 55 vjeçari, në kërkim një i ri 23 vjeç

Kërcënoi me jetë pronarin e mobilerisë duke i kërkuar t’i japë 4000 euro, arrestohet në flagrancë duke marrë paratë 55 vjeçari, në kërkim një i ri 23 vjeç.

Sekuestrohen shuma e parave, 2 celularë, si dhe 2 automjete dhe 1 motomjet në përdorim nga 2 shtetasit e implikuar në këtë rast.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, pas denoncimit të një 50-vjeçari, se kanosej nga 2 shtetas, për t’iu dhënë 4000 euro, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan kryen një hetim proaktiv, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mobilieri ”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, teksa merrte shumën e eurove, në mobilierinë e 50-vjeçarit, shtetasi P. B., 55 vjeç. Gjithashtu, si bashkëpunëtor për rastin, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 23 vjeç. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.