ITALI – Policia në Itali ka arrestuar një 49-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për vjedhje, armbëmbatje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Sipas mediave vendase shqiptari, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije akuzohet se më katër maj të këtij viti ka hyrë në një dyqan, në zonën e njohur si via Costantino Baroni për të grabitur dhe është përballur me pronarin e biznesit dhe vajzën e këtij të fundit. Në atë moment shqiptari ka nxjerrë armën dhe ka plagosur babë e bijë dhe më pas ka grabitur nga dyqani disa bileta fati me shumë afro 15 mijë euro.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit. Sakaq gjatë kontrollit fizik shqiptarit i janë gjetur një pistoletë gjysmë automatike, gëzhoja dhe një thikë, si dhe veshje të veshura gjatë grabitjeve, të fshehura brenda pakove. Raportohet se shqiptari akuzohej edhe për disa vjedhje të tjera të kryera po në të njëjtën zonë.













