Bandat shqiptare të organizuara si familje me hierarki, të përqendruara në tregun e kokainës e heroinës

Europol ka analizuar për herë të parë bandat më të rrezikshme në Europë dhe pjesë e tyre janë edhe shqiptarët.

Në analizën e Europol, thuhet se rrjetet kriminale të përbëra nga shtetas jo anëtarë të BE në të shumtën e rasteve vijnë nga Shqipëria, Bosnja, Kina, Gjeorgjia, Islanda, Nigeria, Serbia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, thekson Europol.

Grupet kriminale të shqiptarëve kryesisht janë të përqendruara në tregun e kokainës, heroinës e kanabisit kryesisht në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë. Ndërkohë që jashtë vendeve të Bashkimit Europian, aktiviteti i tyre është i vendosur në Brazil, Kolumbi, Ekuador dhe në Shqipëri.

Ndër sukseset e Europol, është edhe shkatërrimi i një bande të madhe shqiptare në 25 maj 2023, që transportonte drogë me kontenierë në Belgjikë. Droga mbërritne në Gjermani me makina me sisteme të rafinuara të fshehjes dhe shpërndahej në Europë.

Për Europol, një element i rëndësishëm i bandave shqiptare, që i dallon ato nga disa të tjera, është se ato janë të organizuara si familje me hierarki, të përbëra kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë.

Në raport theksohet fakti se bandat nga Ballkani Perëndimor janë shumë brutale dhe arrijnë deri në ekzekutime profesioniste.

“Disa prej këtyre bandave janë të specializuara ose kanë pjesëmarrje të lartë tek dhuna ekstrene, rrëmbime dhe ekzekutime profesioniste, korrupsion, larje parash, tregti armësh dhe lëndësh shpërthyese, falsifikim dokumentesh”.