‘Eni milioneri, 1 milion dollarë!’ Tjetër pistë hetimi për vrasjen dhe groposjen e Pëllumb Metës në Durrës

Durres– Një tjetër pistë po hetohet lidhur me krimin makabër të ndodhur pak ditë më parë në Durrës ku tre fëmijët u arrestuan për vrasjen dhe groposjen e të atit në kasollen e lopës.

Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se një element i hetimit për të zbardhur shkakun e vrasjes së Pëllumb Metës nga ana e fëmijëve të tij është edhe hetimi pasuror i pasurive të paluajtshme. Për këtë qëllim i është dërguar një shkresë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ku i kërkohet informacion për pronat që ka familja e Pëllumb Metës.

Përgjigja ende nuk ka mbërritur nga kjo agjenci.

Deri tani, grupi hetimor ka përjashtuar nga hetimi pistën e ndonjë marrëdhënie brenda gjinisë. Kurse pista e fejesës së sforcuar nuk është përjashtuar por ajo është pjesë e konflikteve familjare. Ndërkohë as nga laboratori shkencor nuk ka mbërritur përgjigja për ekspertizën balistike të armës së krimit.