Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato amerikane, kanë arrestuar një shqiptar të quajtur Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54- vjeç, i dënuar nga Italia me 25 vjet burg, për vepra të rënda penale.
Mnella, kishte arritur që të deklarohej i vdekur me një vendim të një gjykate shqiptare.
Ai është arrestuar në Miçigan të SHBA-ve dhe tashmë është ekstraduar drejt vendit tonë.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:
Këtë shtetas, Gjykata e Salernos, Itali, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Leonard Mnella do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri.
Do të vazhdojë puna, në bashkëpunim me prokurorinë, për hetimin e thelluar të veprimtarive kriminale të kryera nga ky shtetas.













