Bullizmi nuk është një fenomen i ri për sistemin arsimor shqiptar, por forma e tij ndryshoi gjatë periudhës së pandemisë, duke targetuar mijëra fëmijë në rrjetet sociale dhe në grupet e nxënësve në internet.
Aida [nuk është emri i vërtetë] nuk ia fal vetes që nuk e kuptoi momentin kur e bija nisi të thyhej. Ajo ndryshoi sjellje dhe ra nga mësimet në vitin e parë të gjimnazit, por nëna e saj i mësoi problemet vetëm pasi 15-vjeçarja tentoi të vriste veten.
“Kur e kam gjetur në shtëpi pa ndjenja se kishte konsumuar qetësues, nuk di ta përshkruaj frikën, ndjenjat që më kaluan ato çaste,” tregon gruaja nga Fieri në kushtet e anonimatit.
Aida tregon se e bija kishte tentuar t’i bënte keq vetes, pasi ishte targetuar me komente tallëse në rrjetet sociale dhe në grupe nxënësish për shkak të pëlqimit ndaj një shoku të klasës. Ajo është vetëm një nga mijëra viktimat e identifikuara të bullizmit në sistemin arsimor të Shqipërisë.
Mësues, psikologë dhe punonjës socialë të intervistuar nga BIRN flasin për një krizë të bullizmit në shkollat shqiptare, ku rastet e raportuara janë trefishuar gjatë viteve të fundit, ndërsa mijëra raste të tjera mendohet se kalojnë në heshtje dhe pa u trajtuar.
Bullizmi nuk është një fenomen i ri dhe çdo brez në Shqipëri është përballur me historitë e veta të dhunës psikologjike dhe fizike në moshën e fëmijërisë apo adoleshencës.
Megjithatë, ekspertët flasin për një formë të re që lulëzoi në periudhën e pandemisë; bullizmi i kohëve të fundit është zhvendosur nga korridoret e shkollave në rrjetet sociale apo grupet e aplikacioneve online – çka vështirëson identifikimin dhe trajtimin e duhur të rasteve.
“Ajo që kam vënë re është se [bullizmi online] ka rritje vitet e fundit dhe i referohem periudhës së pandemisë që e kishim çdo gjë online. Që nga ai moment është edhe më i fortë si fenomen,” thotë Majlinda Ziu, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.
“Shpesh krijojnë grupe Whatsapp, pavarësisht atyre grupeve të shkollës, apo në rrjete sociale. Hapin faqe për të bërë presion,” shtoi ajo, duke theksuar se bullizmi kalon më pas nga bota virtuale në atë realen.
Burimi: marrë nga reporter.al
