Prej më shumë se 20 vitesh mbi 5000 banorë të fshatrave Shushicë dhe Mlizë në Elbasan vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ndonëse janë të rrethuar nga burime të shumta natyrore këta banorë janë të detyruar ta blejnë ujin.
Sipas analizave të fundit mbi cilësinë e ujit të kësaj zone, rezulton i pakonsumueshëm. Banorët e fshatit Shushicë shprehen se kjo situatë vazhdon të mbesë e njejtë edhe pas vendosjes së kanalizimeve disa vite më parë. Ata pohojnë se uji në çezmat e tyre shpesh herë sjell me vete insekte dhe jo në pak raste edhe gjarpërinj.
“Jo vetëm që vuajmë mungesën e ujit, por edhe kur ka ujë del me insekte. Shpesh kanë dalë gjarpërinj dhe kjo ka ndodhur në disa shtëpi. Gjatë verës kemi ndenjur edhe 3 muaj pa ujë, kemi bërë ankesë, por s’kemi gjetur zgjidhje”- thotë një banor i zonës.
Janë të shumtë banorët që shprehen të shqetësuar. Ata thonë se kanë bërë kërkesë në mënyrë të vazhdeshme, e cila është lënë pas dore për arsye të mungesës së fondeve.
“Nëse do të vini te unë, s’ka fare ujë. Na mbeten rrobat pa larë. Si ka mundësi të furnizohen 40 familje me një tubë?”- shprehet një tjetër banor.
E njëjta situatë është edhe në fshatin Mlizë, ku banorët shprehen se askush nuk është interesuar për ti furnizuar me ujë të pijshëm. Këta banorë kanë gjetur si zgjidhje ujin e Byshekut për përdorim të përditshëm, ujë që nuk është i pijshëm. Zgjidhja e vetme për këta banorë mbetet që ujin e pijshëm ta blejnë.
Lidhur me këtë shqetësim Elbasanion kontaktoi me bashkinë dhe mori përgjigje se shqetësimi i banorëve nuk ekziston, duke garantuar jo vetëm furnizimin, por edhe cilësinë e ujit në këto fshatra.
