Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, shprehu shqetësimet e tij në lidhje me propozimet e qeverisë për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura me qëllim lejimin e investimeve strategjike brenda tyre, përmes një letre të derguar në adresë të kreut të komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, një kopje e së cilës është parë nga BIRN.
Sipas letrës së firmosur nga Gonzato, Bashkimi Europian pret nga Shqipëria një vend në proces negocimi për anëtarësimin që t’i përshtasë politikat e veta mbi mjedisin me orientimet dhe direktivat e legjislacionit europian.
Duke iu referuar propozimeve të qeverisë për lejimin e investimeve strategjike dhe aktiviteteve të tjera brenda Zonave të Mbrojtura, ambasadori i BE-së rikujton qëndrimin e progres-raportit të vitit 2023 për ligjin kontravers për investimet strategjike.
“Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura,” citohet raporti në letër, duke shtuar se “për më shumë qeveria propozon të lejojë ndërtimin e një numri veprash infrastrukturore mbi vaditjen (kullimin) dhe mbrojtjen nga përmbytja në zonat e mbrojtura”.
Në këtë kontekst, ambasadori i BE-së në Tiranë kërkon që komisioni të bëjë një ekzaminim të kujdesshëm të këtyre propozimeve dhe të rihapë procesin e konsultimit me aktorët e interesuar dhe organizatat mjedisore në vend.
“Duke pasur parasysh implikimet e rëndësishme të mundshme të propozimeve të bëra nga qeveria, unë besoj se një ekzaminim i kujdesshëm duhet garantuar përpara se komisioni të vazhdojë më tej, duke përfshirë kriteret për autorizimin e ndërtimeve dhe aktiviteteve në zonat e mbrojtura, si dhe masat mbrojtëse, p.sh. vlerësimet e ndikimit në mjedis,” sugjeron ambasadori Gonzato.
