Shtyhet seanca gjyqësore në ngarkim të 4 adoleshentëve të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre, Fatjon Bici në maj të vitit 2023 në qytetin e Gramshit. Seanca në Gjykatën e Elbasanit është shtyrë pasi nuk u plotësua trupi gjykues prej 3 anëtarësh. Të pranishëm kanë qenë familjarët e të ndjerit, Bici, të cilët kanë kundërshtuar gjykimin e shkurtuar për autorët. Edhe gjatë seancës paraprake avokati i familjarëve të viktimës ka ankimuar “gjykimin e shkurtuar”. Sakaq, seanca e radhës është caktuar më datë 28 shkurt ora 14:00 në Gjykatën e Elbasanit.
Më 16 Maj 2023 Fatjon Bici u vra me thike vetëm pak metra larg shkollës, në lulishten e qytetit të Gramshtit. Katër autorët e moshës 15 dhe 16 vjeç i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë teksa hyri për ta mbrojtur.
