Familja Sula në fshatin Zaloshnje të Çorovodës jeton në kushte të mjerueshme, në një shtëpi të rrënuar që rrezikon t’i zërë brenda, për shkak të dëmeve në çati dhe mure. Dy nga tre fëmijët vuajnë nga autizmi, ndërsa babai tregon se vajzës së madhe i kanë ndërprerë padrejtësisht pensionin e invaliditetit.
Banesa e Ymer Sulës u shemb pjesërisht 4 muaj më parë nga reshjet e shiut dhe stuhia e erës. Në Zaloshnjë të Çorovodës, që ndodhet rrëzë malit të Tomorit bën shumë ftohtë dhe dimrin e kanë kaluar nën një çati prej plastmasi.
Në këto kushte të mjerueshme, Ymeri jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijët, dy prej të cilëve me autizëm. Ai kërkon nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, njohur si “KEMP EPROR” t’i lidhin pension invaliditeti vajzës 22-vjeçe, pasi ia kanë ndërprerë padrejtësisht.
Si të mos mjaftonin problemet shëndetësore në nëntor 2023 u shemb një pjesë e shtëpisë.
Banesa e familjes Sula është shkatërruar, ç’bie jashtë hyn brenda. Muret anësore kanë rënë.
Të vetmet orendi janë dollapi i vjetër, një krevat disa thasë me rroba, ndërsa për çati disa trarë mbuluar me plastmas. Të gjithë janë të papunë, veç rrojnë me prodhimet bujqësore dhe një ndihmë ekonomike prej 5 mijë lekësh në muaj.
Bashkia e Çorovodës u ka dhënë 300 mijë lek për riparimin e dëmeve, shumë kjo e pamjaftueshme pasi shtëpia duhet rindërtuar nga themelet.
Ymer Sula apelon institucionet shtetërore, por dhe donatorët private që ta ndihmojnë për ndërtimin e një shtëpie të re.













