Hodhi armën dhe refuzoi kontrollin/ Arrestohet 72-vjeçari me 17.640 euro

Një 72-vjeçar, i cili ka qenë duke u futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, është arrestuar nga policia pasi mbante armë më vete. Në përpjekje për të shmangur kontrollin nga pala malazeze, 72-vjeçari Faruk Sekja është larguar me shpejtësi dhe është futur në territorin e vendit tonë.

Ai ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është kapur nga policia.

Ndërkohë, gjatë kontrollit që efektivët e Policisë Kufitare i kanë ushtruar në automjet, i kanë gjetur të fshehura edhe 17.640 euro, të ndara në disa pjesë.

NJOFTIMI ZYRTAR

Finalizohet operacioni i përbashkët policor i koduar “COOPERATION”.

Në PKK Hani i Hotit, në territorin e Malit të Zi, në dalje për në Shqipëri, shtetasi F. S., i cili drejtonte një automjet tip “Benz”, nuk ka ndaluar për të kryer proceduat për hyrjen në Shqipëri dhe është larguar me shpejtësi duke u futur në territorin shqiptar, në PKK Hani i Hotit.

Punonjësit e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë sinjalizuar menjëherë punonjësit e Policisë Kufitare të Shqipërisë, të cilët kanë bllokuar menjëherë daljen nga pika e kalimit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. S., ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë Kufitare shqiptare.

Gjatë kontrollit të përbashkët me homologët e Malit të Zi, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën këtij shtetasi, të fshehura në automjet, edhe një shumë prej 17 640 eurosh, të ndarë në disa pjesë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit F. S., 72 vjeç, banues në Shkodër, me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.