Kryetarja e Komisionit të Mediave, Flutura Açka nga emisioni “Kontrast” në Report Tv e ka konsideruar skenar të parapërgatitur përplasjen e ndodhur në Komisionin e Mediave me Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën mesditën e së mërkurës. Ndërsa kujtoi sjelljet e shëmtuara të deputetëve kur i shkulën mikrofonin dhe bënin zhurmuesin teksa ajo ishte duke drejtuar mbledhjen e Komisionit, Açka e konsideroi këtë një formë terrorri. Më tej nënvizoi se nuk i kishte shkuar në mendje se do të gjendej në një situatë të tillë.
“Nëse u lexua si provokim nga kolegët as më kishte shkuar në mendje se do të gjendesha në të tillë situatë. Nuk e kisha çuar në mendje që do ndodhesha në atë situatë, është një formë terrori. Më bënë akuza që i shërbej Ramës, unë kam shumë gjëra për të denoncuar dhe nuk po i denoncoj. Mendoj se ishte e përgatitur, një ushtrim muskujsh e force që më ngjalli një shije të hidhur. Të jem e sinqertë nuk është diskutuar me zotin Basha nëse duhet të shkoj ose jo. Basha s’duhet të më orientojë mua që të bëj detyrën time.”
Ajo tha se ka për qëllim që të sjellë një shembull tjetër të një politikani, prandaj vendosi që ta hedhë hapin e para për të rikthyer fizikisht mbledhjet e komisioneve që janë kaluar online për shkak të kaosit të Rithemelimit.
“Është në të drejtën time që mbledhjen ta kaloj në fizik. Mendova ta bëj unë hapin e para sepse i shkon natyrën time. Unë s’mund të bëj gjëra më të mëdha në atë përlament për shkak se të tjerët kanë muskuj politikë… Unë dua të sjell një politikan tjetër që ka fjalën që të zgjojë atë pjesë të shoqërisë që nuk beson më të politika”. Unë përfaqësoj ata njerëz që më kanë votuar mua për këtë staturë. Unë kam staturën time mendoj si kryetare komisione brenda rregullores. E di që është shkelje e rregullores të parlamentit të bësh mbledhje online. Nuk merrem me emra të përveçëm por merrem me aktin dhe hunë mendova se është e mira…”, tha ajo e ftuar përballë gazetarit Denis Minga dhe analistit Lorenc Vangjeli.
Në emisionin Kontrast, Açka thotë se muajt e fundit kanë dëshmuar se bojkoti është një formë e gabuar që i jep krah Edi Ramës.
“Kush janë këta që marrin zvarrë një parlament të tërë? Nuk është kjo rruga, e dinë vetë ata rrugën e tyre, por mua nuk më imponojnë dot. 4 muajt e fundit tregojnë që kjo nuk është rruga. Shkelja institucionale që bën maxhoranca për mosdhënien e komisioneve hetimore, tregon që edhe sikur të mos ketë gjë, duket sikur ka, pse e frenojnë? Por kjo s’do të thotë që meqë po bëhet një shkelje kushtetuese, ti t’i shkelësh të drejtën dikujt tjetër, qoftë dhe drejtueses së komisionit. Fjala vret më shumë, jo muskujt. Pse duhet të largohemi ne nga institucionet, një formë bojkoti, e rrezikshme se na pret gjuhën fare.”.
Sa i përket akuzave se mblodhi komisionin me urdhër të Bashës, Açka u shpreh se nuk ka asnjë lloj komunikimi me kreun e PD apo me Bashën, dhe e bëri të qartë se nuk imponohet nga askush lidhur me ecurinë e komisionit.
Analisti Lorenc Vangjeli ndërsa dënoi sjelljen e paprecendetë të dy deputetëve, në solidarizim me Açkën nënvizoi se “Politikanët shkojnë e vijnë, poetët mbeten”.













