Korruptoi efektivin e Antidrogës, arrestohet 27-vjeçari sirian

Një shtetas sirian i identifikuar si Wasim Hajazi 27-vjeç është arrestuar nga blutë e Tiranës pasi nga hetimet ka rezultuar se shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Ndërkohë gjatë dokumentimit të veprimtarisë së tij të jashtëligjshme, është zbuluar se siriani lëvizte me mjetin personal të një agjenti Antidroge, i cili me detyrë ishte në Shkodër.

Kjo skemë është vënë në funksion qe shtetasi sirian të mos binte pre e kontrolleve nga efektivët e policisë.

Sipas informacioneve dyshohet se në këtë grup operonin disa persona të ndarë në rolet e tyre; më tej Policia po vijon hetimet për të identifikuar dhe bashkëpunëtorët e tjerë që shtetasi sirian i ka bërë bashkë, duke korruptuar kështu edhe agjentin e Antidrogës, Herald Puçe.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet në lidhje me këtë grup kriminal që operon me shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet dhe fokusi është përfshirja e efektivit të Policisë,  i cili detyrohej të lëvizte me mjetin e {olicisë, pasi atë personal e kishte vënë në dispozicion të shpërndarësit të drogës, për ta siguruar.  Agjenti tashmë është vënë nën hetim në gjendje të lire dhe mbi të rëndon akuza e shpërndarjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim.