Përleshen mjekët/ Përfundon në dhunë fizike konflikti mes dy kirurgëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar kirurgun Luan Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Lajmin e ka konfirmuar për Betimi për Drejtësi, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

Hashani tha se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:02 dhe është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”

“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjisë është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendngjarja. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshimti ndalet për 48 orë në mbajtje gjersa rasti cilësohet ‘Lëndim i lehtë trupor’”, tha Hashani.

Ai konfirmoi se rrethanat e rastit po hetohen nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Gjilan.
Lidhur me rastin, kirurgu Arbër Morina ka thënë për Betimi për Drejtësi se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

Ai tregoi se me të hyrë në zyrën e tij menjëherë ka hyrë edhe kirurgu Mustafa, i cili sipas tij edhe e ka sulmuar fizikisht.

“Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka pritur derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmuar fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet të më sulmojë fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam menduar këtë pjesë. Unë kam tentuar me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmuar fizikisht derisa kanë ardhur kolegët e spitalit”, rrëfen Morina.