Armand Broshka është nga ato talente që rrugëtimin e tij e ka nisur herët duke vazhduar shkollën “Onufri” në Elbasan. Qysh në moshën 13 vjeçare ka nisur të orkestrojë dhe ka eksperimentuar me të mëdhenjtë e muzikës klasike. Ka shkruar pjesë që janë luajtur nga bashkëmoshatarët e tij dhe duke vazhduar studimet pranë Universitetit të Arteve ka kompozuar e arranzhuar muzikë për disa orkestra.
Kureshtja, studimi dhe njohja e mirë e instrumentave të ndryshëm muzikorë do të bënte që të interesohej në orkestrimin e një larmie të gjerë gjinish muzikore e kryesisht muzikës kinematografike hollivudiane, nga ku do të orkestronte në vitet e studimeve vepra nga Ennio Morricone, John Williams, James Horner, Hans Zimmer, Nino Rota etj.
Pas viteve të studimeve, do të niste një rrugëtim të ri profesional në bashkëpunime me Teatrin Kombëtar me kompozimin e muzikës për dramën “Henry VI” (2012) dhe gjithashtu me formacione dhe orkestra të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Prej tri vitesh ai është orkestrues me Orkestrën Simfonike të RTSH duke qenë edhe vetë pjestar si violinë e pare e kësaj orkestre të rëndësishme kombëtare. Gjithashtu ka pasur bashkëpunime edhe me shkollat artistike si Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe Liceu Artistik “Onufri”, duke dhënë kontributin e tij në ndihmë të brezit të ri të artistëve shqiptarë. Dy nga personalitetet e shquara me famë botërore të cilët kanë interpretuar vepra të orkestruara nga Armand Broshka janë Zoryana Kushpler mexo-sopranoja kryesore e Operas Shtetërore të Vjenës dhe Gan-ya Ben-gur Akselrod, sopranoja izraelite e cila këndon në koncertet e kompozitorit hollivudian Hans Zimmer në turnetë e tij botërorë.
Në muajin dhjetor 2022 bashkëpunoi me violinisten e shquar shqiptare Ervis Gega dhe Orkestrën Filarmonike të Bonit (Gjermani) duke orkestruar posaçrisht për ata pjesët “Silent Night” & “Hallelujah”, e më pas në shkurt të 2023 doli në treg CD me titullin “My childhood”, bashkëpunim me pianisten vjeneze Donka Angatscheva, duke orkestruar tetë kolona zanore të Ennio Morricone-s, shkëputur nga seriali i famshëm televiziv Italian “La piovra” (Oktapodi). Partiturat e orkestruara prej tij gjenden sot në stendat e kompanisë prestigjoze ndërkombëtare “Hal Leonard” dhe janë të aksesueshme në pesë kontinente.
Në prill 2023 koncerti recital i kompozitorit të famshëm mbarëkombëtar Naim Gjoshi, i cili ia besoi Armandit punën voluminoze të orkestrimit të dymbëdhjetë këngëve dhe një valleje simfonike, pjesë të krijimtarisë së tij më të mirë. Prej dy vitesh tashmë, jep kontributin e tij si violinist, orkestrues dhe dirigjent principal i orkestrës ndërkombëtare me bazë në Shqipëri, “Life and Music Concept Orchestra”.
Armandi nuk ndalet në bashkëpunimet dhe orkestrimet e tij. Së fundi orkestroi këngën fituese të Besa Kokdhima, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në Euroviosion.
Ai është duke orkestruar të gjithë pjesët e koncertit të madh që do të zhvillohet me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës në New York. Gjithashtu Armandi është njëkohësisht duke orkestruar edhe për Ansamblin Kombëtar tw Kengeve dhe Valleve te Maqedonise se Veriut me rastin e pavaresise se Kosoves.
