Vëllai vuan nga skleroza e shumëfishtë, rrëfimi i Servetes për kunatën heroinë: Nuk ka të dytë si ajo

Servetja është më e madhja nga 5 fëmijët e një familjeje tiranase. Që në fëmijëri, rrëfen ajo për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, lidhjen më të fortë e ka patur me njërin prej vëllezërve, Vathin.  Ata ndanin gjithçka bashkë, çdo sekret dhe kur Vathi ra në dashuri i kërkoi një mendim Servetes.

‘Problemi’ ishte se Natasha, vajza që ai isthe dashuruar ishte nga Vlora dhe mendonin se ndoshta nuk do të arrinin të kuptoheshin për shkak të ndryshimit të dialektit. Servetja foli me nënën e tyre, u takuan dhe prezantuan me vajzën e familjen e saj dhe gjithçka shkoi mirë. Çifti kaloi vite shumë të lumtura derisa Vathi u sëmur nga skleroza e shumëfishtë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Servete: Pothuajse po i humbte një këmbë, e hidhte por e hidhte pa vetëdije. Vizitohet e më the, të thashë, në neurologji e ku nuk e çuam, unë me Natashën më tepër dhe më thotë “e ka hernie diskale”.

Ardit Gjebrea: Mirëpo sëmundja vazhdoi.

Servete: Sëmundja vazhdoi…

Ardit Gjebrea: Dhe u përkeqësua.

Servete: Filloi edhe këmba tjetër.

Ardit Gjebrea: Ai nuk e kuroi gjatë kësaj kohe, jo?

Servete: Vetëm që…

Ardit Gjebrea: Sepse mendonit hernie diskale dhe nuk u kurua.

Servete: Jo, nuk u kurua se “s’ka derman” i tha, “o do të operohet ose vetëm me brez leshi e mos të lodhet” se ai ka punuar gjithë jetën shofer.

Ardit Gjebrea: Por në fund çfarë i thanë mjekët?

Servete: Për sklerozë multiple.

Ardit Gjebrea: Çfarë shkakton skleroza multiple?

Servete: Ishte aq e keqe more Ardit sa mos i raftë as hasmit. Vëllai zuri krevatin. Natasha është gjendur natë, ditë mirë për të, por aq sa na sajdis, buzëqesh, ne dalim duke qarë, ajo na jep kurajë. S’besoj them të ketë njeri të dytë.

Ardit Gjebrea: Natasha i ka shërbyer non stop. Për sa vite?

Servete: 13 vjet, non stop.

Ardit Gjebrea: Dhe vazhdon akoma?

Servete: Dhe vazhdon akoma. I kemi thënë se ajo ka edhe nënën e vet sëmurë, e ka operuar në Itali, “të vijmë ne këtu te vëllai, po rrimë ne non stop”.

Ardit Gjebrea: Ajo nuk ka shkuar ta shohë?

Servete: “Jo”, thotë, “nuk e lë”.

Ardit Gjebrea: Dhe ti për këtë e ke thirrur sot në program.

Servete: Për këtë e kam thirrur, t’i them të shkosh. Një herë, një falenderim të jashtëzakonshëm për vëllanë që i shërben kaq shumë. Mirë që i shërben vëllait, por na pret e përcjell edhe neve.

Ardit Gjebrea: Ajo që më bën mua më shumë përshtypje nga gjithë historia që di, është që kur ju i thoni të gjitha fjalët e mundshme, ajo thotë “jemi mirë, ka edhe më keq”.

Servete: Po.

Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?

Servete: “Unë”, thotë, “lus Zotin natë, ditë që të ma lërë kështu si e kam. Të paktën flas me të, e kam këtu në sy, ka duar, ha vetë, për mua është… gjë më e mirë sa s’ka më”./tvklan.al