AKU vijon aksionin. Së fundi trupa inspektuese të Drejtorisë Rajonale Fier, kanë ushtruar kontroll në një magazinë ushqimore që ka si aktivitet ruajtje shpërndarje në temperaturë ambienti, të produkteve miell, makarona.
Gjatë kontrolleve në një subjekt është konstatuar se nuk plotësoheshin kushtet e përgjithshme higjieno-sanitare, produktet ushqimore ruheshin jashtë kushteve të përshtatshme higjieno-sanitare, në ambientet e magazinimit u gjendën brejtës dhe shpendë.
Trupa inspektuese sipas legjislacionit në fuqi, vendosi menjëherë masën e ndërprerjes së aktivitetit, u bë bllokimi i 52 ton produkte ushqimore me destinacion asgjësimin, si dhe u vendosën masat administrative me gjobë në vlerën e 700,000 lekëve.
