Protestë para MAS, qytetarët kërkojnë drejtësi për të miturën e dhunuar nga edukatorja

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pasditen e sotme përpara  Ministrisë së Arsimit për të protestuar për dhunën e ushtruar nga edukatorja e një kopshti privat në Tiranë ndaj një fëmije 3-vjeç. Si pasojë e mitura u dërgua tek spitali i Traumës me njërën këmbë të thyer.

Qytetarët shprehen të indinjuar për këtë rast. Ata thonë se e gjithë shoqëria duhet ngritur në protesta, pasi fëmijët e tyre jetojnë në pasiguri. Aktorja Eliona Pitarka e pranishme në protestë shprehet se kjo është një ngjarje e tmerrshme dhe se kemi prekur fundin. Ajo kërkon drejtësi për një jetë më të sigurtë për fëmijët.

Edukatorja Majlinda Dehima është vënë në pranga nga policia ditën e sotme, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Nga pamjet filmike të siguruara nga emisioni investigativ “Stop” duket teksa ajo qëllon me vizore vajzën 3-vjeç në ambjentet e kopshtit “Stinët”, i cili u mbyll pasi ishte pa liçensë. Ndaj pronarit të këtij kopshti është hapur dhe një procedim penal.