Përplasi me makinë një të mitur, dënohet ministrja shqiptare

KOSOVË- Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar ministren e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin me 200 euro gjobë për aksidentin ku kishte përplasur një vajzë të mitur me makinë. Sipas njoftimit të gjykatës, ajo duhet ta paguajë gjobën brenda afatit prej 15 ditësh, nga dita e shpalljes së vendimit gjyqësor.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu thuhet se ministrja duhet të paguajë edhe shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu edhe shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 €.

“Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në njoftim.