Zjarr në fushën e plehrave në Vlorë, qeveria prish kontratën me KFV! Kompani e re për landfillin

Era e fortë që vijon prej ditës së djeshme, ka rindezur vatrat e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës, duke krijuar një situatë të rënduar nga tymi toksik që çlirohet në ajër.

Forca zjarrfikëse ndodhen në zonë për izolimin e flakëve por era e fortë ka rindez sërish zjarrin, i cili është hapur pothuajse në të gjithë zonën.

Ndërkohë kreu i Ndërmarrjes së shërbimeve publike Edi Leka është shprehur se tymi ka penguar më së shumti punë për shuarjen e flakëve.

“Gjatë gjithë natës të gjithë kemi qenë në përpjekje për të normalizuar situatën. Vështirësia qëndron tek tymi i cili na ka penguar dhe vijon të na pengojë”, kështu është shprehur për mediat kreu i Ndërmarrjes së shërbimeve publike Edi Leka, mëngjesin e kësaj të shtune.

Kreu i Ndërmarrjes së shërbimeve publike, Edi Leka zbuloi se Bashkia e Vlorës ka prishur kontratën me KFV për vonesa në dorëzimin e projektit të landfillit të ri të Vlorës.

Qeveria ka përcaktuar një tjetër kompani për të kryer 2% të punimeve të mbetura, për shkak se kompania zbatuese e projektit është në hetim nga SPAK dhe pronari i firmës është në kërkim.

Ndërsa për shuarjen e flakëve në këtë ladfill do të ndërhyhet me shtresa rëre ose inerte për të izoluar vatrat e zjarrit.