Udhëhoqi sulmin me armë në Veri të Kosovës, arrestohet në Serbi Milan Radoiçiç

Radoiçiç ka njoftuar të premten përmes avokatit të tij se më 24 shtator ka qenë në fshatin Banjskë kur ka pasur një konflikt me policinë e Kosovës.

SERBI- Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar terroristin Milan Radojiçiç, i cili pranoi se ishte pjesë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë.

“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është urdhëruar që policia të ndalojë deri në 48 orë. Ai është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal”, thotë MPB e Serbisë.

Dy ditë më parë kjo ministri njoftoi se Milan Radoiçiç i është përgjigjur ftesës së autoriteteve shtetërore serbe dhe se është shoqëruar nga avokati i tij në polici për të dhënë deklaratë si shtetas për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit. Radoiçiç ka njoftuar të premten përmes avokatit të tij se më 24 shtator ka qenë në fshatin Banjskë kur ka pasur një konflikt me policinë e Kosovës.

Pasi pranoi se kishte qenë i pranishëm në Banjskë ditën e sulmit, ai dha dorëheqjen nga detyra si nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë. Ai ka thënë se veriu i Kosovës ka ardhur për të inkurajuar popullin serb nga ajo zonë në “rezistencën ndaj terrorit të regjimit të Kurtit”, si dhe se ai personalisht ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për “mbrojtjen e popullit serb kundër okupatorit”. Ish-nënkryetari i Listës Serbe ka deklaruar se për këtë nuk ka njoftuar askënd në Beograd dhe as autoritetet lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.