KOSOVË- Polici Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit është përcjellë për në banesë të fundit me ceremoni shtetërore. Në varrimin e tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, pjesëmarrës ishin krerët e shtetit, po ashtu, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe shefi i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog. Presidentja Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj ka thënë se Afrim Bunjaku, është hero i secilit shqiptar, pasi ai bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës.
“Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tonë”, deklaroi Osmani.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra heroikisht për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.
“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizimin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët. Për paqe me siguri, për të gjithë me secilin. Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës është sakrifica në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, për drejtësi dhe për të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, u shpreh Kurti.
Dje, më 24 shtator, në fshatin Banjska, serbë të armatosur, në orët e hershme të mëngjesit kanë vrarë policinë e Kosovës Afrim Bunjakun. Më pas, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë neutralizuar terroristët, të cilët u strehuan në Manastirin ortodoks në fshat. Gjatë aksionit, janë vrarë së paku 3 serbë, të cilët “The Geopost” merr vesh se janë serbë të Kosovës, kurse 2 të tjerë janë kapur të gjallë. Në mbrëmje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media, krejtësisht i hutuar fajësoi Albin Kurtin.
