Avokat Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për katër adoleshentët që u përfshinë në konfliktin e 16-majit në Gramsh, ku për pasojë pas një konflikti humbi jetën Fatjon Bici 16-vjeç dhe mbeti i plagosur Marko Liçi 15 vjeç.
4 adoleshentët u morën në pyetje për më shumë se tre orë nën prezencë të psikologes.
Bazuar në prova e dëshmi, prokurorja Pranvera Stafa kishte kërkuar të caktohet masa e sigurisë arrest me burg për 4 minorenët.
Gjyqtari Elton Frashëri e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe ka vendosur t’i lërë në burg ata.
Për shkak të delikatesës së ngjarjes jo vetëm media nuk asistoi në seancë, por dhe familjarët e të miturve i ndoqën zhvillimet në distancë. Një prej avokatëve përfaqësues të një prej të rinjve, Oligert Kume pas seancës tha se autorët kanë shfaqur pendesë, jo vetëm në sallë, por edhe gjatë marrjes në pyetje.
Avokati i Xhonatan Çekrezit Oligert Kume në emër të familjes shprehu solidarizimin me dhimbjen e familjes që humbi djalin dhe gjithashtu theksoi se përgjegjësia e kësaj ngjarjeje të rëndë bie mbi shoqërinë. “Unë përfaqësoj të miturin Xhonatan Çekrezin dhe në fakt jam i autorizuar nga prindërit e këtij të mituri për të dhënë një deklaratë shumë të shkurtër lidhur me çështjen. Solidarizohem jo vetëm si avokat, jo vetëm si qytetarë, por mbi të gjitha edhe si përfaqësues i Leonidhës, së atit të Xhonatanit dhe bashkëshortes së tij, me dhimbjen e jashtëzakonshme të prindërve të të miturit që nuk jeton më, njëkohësisht i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe të plagosurit të mitur që ndodhet në regjim spitalor”, u shpreh ndër të tjera avokati”.
Ai shtoi, se përgjegjësi për këtë vrasje, ka jo pak shoqëria dhe media, duke kërkuar reflektim nga palët të lobohet më shumë për promovimin e modeleve pozitive.
