Nga Dr. Mikel Alla, ekspert ekonomie
Konsiderata mbi paketën e re fiskale
✅ Paketa e re fiskale është ndërtuar mbi bazën e parimeve të taksimit regresiv dhe prezantohet në një moment të papërshtatshëm në kushtet e krizës globale (shumë e ndjeshme në Shqipëri) dhe të problematikave të shumta në implementimin e procesit të fiskalizimit. Paketa e re fiskale është antikushtetuese duke cënuar parimet e drejtësisë fiskale, duke i kategorizuar bizneset në profesionale e jo profesionale dhe duke e mbartur pjesën më të madhe të barrës fiskale në mënyrë të padrejtë drejt klasës së mesme të shoqërisë, që ka mbetur ende në Shqipëri, qofshin këta të punësuar, të vetëpunësuar apo shoqëri tregtare. Këto politika fiskale nxisin largimin e profesionistëve drejt vendeve europiane, atje ku mirëpriten dhe vlerësohen, pasi shumica e tyre e kanë shumë të lehtë të përshtaten, pasi njohin shumë mirë një gjuhë të huaj ndërkombëtare dhe standardet ndërkombëtare të profesionit të tyre.
✅ Ndryshimet ligjore mbi procedurat tatimore, përfshijnë përkufizime të reja në lidhje me personin e tatueshëm në kundërshtim me ligjin Nr.9901 e datë 14.4.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, i ndryshuar, ligj në të cilin janë kategorizuar personat e tatueshëm në tregtarë apo persona fizikë dhe shoqëri tregtare apo persona juridikë. Ndërkohë, ndryshimet e reja ligjore kanë tendencën e kategorizimit të bizneseve në profesionale dhe jo profesionale si trampolinë për të bërë ndryshimin e ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, me qëllimin e vetëm të taksimit të bizneseve profesionale, me norma më të larta se normat e biznesit të madh duke krijuar në këtë formë një sistem tatimor regresiv, pra një sistem tatimor, në të cilin barra tatimore më e lartë përqendrohet drejt elitës së shoqërisë apo klasës së mesme, qofshin këta të punësuar, të vetëpunësuar apo themelues të shoqërive tregtare.
✅ Përgjithësisht, përjashtimet ligjore favorizojnë ose ofrojnë lehtësira fiskale për një kategori të caktuar të bizneseve, që kanë një impakt të rëndësishëm në shoqëri, ndërkohë me këtë paketë fiskale, përjashtimet ligjore rëndojnë fiskalisht profesionet e lira, të cilat kanë një rëndësi të madhe për shoqërinë tonë.
✅ Ligji i ri i “Tatimit mbi të Ardhurat”, më specifikisht në nenin 12 “Të ardhurat nga punësimi” shprehimisht citon:
1. Të ardhurat nga punësimi përfshijnë: d) të ardhurat e fituara nga një individ i vetpunësuar nëse:
i. 80 për qind ose më shumë e të ardhurave të fituara, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose
ii. 90 për qind ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë. Por kjo referencë ligjore cënon parimet e drejtësisë fiskale, pasi një biznes i caktuar mund të ketë marrëdhënie tregtare me disa klientë, por peshën kryesore të aktivitetit të tij tregtar e ka një apo dy klientë kryesorë. Në këtë kuadër nuk ka përse profesionet e lira të bëjnë një përjashtim ligjor në këtë mes, pasi edhe ata, njësoj si bizneset e tjera, e ushtrojnë profesionin bazuar në një rregullim ligjor, duke investuar në këto biznese të tilla si avokatët, mjekët, kontabilistët, audituesit, noterët, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, etj. Këta profesionistë, ushtrojnë një aktivitet biznesi të mirëfilltë dhe nuk mund të konsiderohet si punësim, por si biznes. Të adhurat e tyre nuk mund të tatohen në mënyrë progresive si tatohen pagat e punës, sepse këta profesionistë kanë marrë riskun e gjetjes së punës, së klientëve, të menaxhimit të kontratave etj.. Ata kanë të gjitha risqet, që ka një biznes dhe nuk mund të konsiderohen njëlloj, si një i punësuar që kryhen punën 40 orëshe në javë, punë që ia siguron biznesi apo institucioni ku punon dhe nuk kanë asnjë risk biznesi dhe në fund të ditës së punës shkojnë pranë familjeve të tyre, pa asnjë shqetësim për biznesin ku punojnë, madje e gjithe barra fiskale 0%-23% tatim dhe 27.9% kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore i mbart biznesi, pasi individi negocion për pagën neto dhe jo atë bruto.
✅ Për efekte të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, në këtë ligj të ri përmenden njohje të shpenzimeve të llogaritura “aforfe” sipas kategorisë së bizneseve, në kundërshtim të hapur me ligjin “Nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, SKK-të, SNK-të dhe me ligjin Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”. Në këtë kuadër, çfarë vlere do të kishte mbajtja e kontabilitetit, për më tepër pranimi e ruajtja e faturave të blerjeve të fiskalizuara referuar ligjit të ri të fiskalizimit dhe raportimi i pasqyrave financiare vjetore, në rastet kur aplikohet koncepti i shpenzimeve të parallogaritura për efekte të llogaritjes së rezultatit fiskal dhe tatimit mbi fitimin.
✅ Ndryshimet ligjore mbi procedurat tatimore përcaktojnë vlera shumë minimale për gjendjet ditore të mbajtjes së parasë cash (kartëmonedha dhe monedha) në arkën e biznesit, si prsh. tatimpaguesit me qarkullim vjetor deri në 2 milionë lekë, deri në 55,000 lekë; tatimpaguesit mbi 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë, deri në 250,000 lekë dhe ata mbi 10 milionë lekë, deri në 500,000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor, cilado qoftë vlera më e lartë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri janë mikronjësi ose biznese të vogla, të cilat përgjithësisht kanë statusin e tregtarit ose persona fizikë, të cilat kanë marrë përsipër riskun të hapin një biznes për të mbajtur veten dhe familjet e tyre, duke vënë në dizpozicion të gjitha pasuritë e tyre qofshin ato monetare, materiale apo jomateriale, duke përfshirë në biznes edhe familjarë të tyre pa të drejtë page, pra me statusin e punonjësit të papaguar të familjes, duke u përgjigjur personalisht dhe familjarisht me të gjithë pasuritë me rsikun e mungesës së likuiditeteve, riskun e mosarkëtimit të klientëve, riskun e konkurencës së pandershme dhe riskun e falimentimit. Si rezultat, nuk ka sens që kjo kategori biznesesh, që përbën pjesën dërrmuese të bizneseve, të detyrojë përfaqësuesit e tyre, që në të shumtën e rasteve janë të vetëpunësuar të vetëm, që çdo ditë të mbajnë rradhën në institucionet financiare për të depozituar shumën e parave përtej limitit të lejuar, shumë e cila mund ti duhet ditën e nesërme për të përballuar dhe paguar me para në dorë shpenzimet ditore. Për më tepër, këto para mund të përdoren për të mbajtur veten dhe familjen e tyre, pasi një e drejtë e tillë është e drejtë kushtetuese, por edhe e drejtë që buron nga ligje specifike, pasi të ardhurat e biznesit janë edhe të ardhura të personit fizik duke mos pasur nevojën e një dokumenti administrativ e ligjor për tërheqjen e tyre për nevoja personale e familjare.
✅ Shtohen kompetencat e kontrollit tatimor të bizneseve edhe në nivel qendror. Për kontrolle që kryhen nga struktura të kontrollit në Drejtorinë e Përgjithshme, kompetencën për të iniciuar kontrollin tatimor e ka titullari i institucionit ose i deleguari i tij, ndërkohë që më parë kjo kompetencë ishte e titullarit të Drejtorisë Rajonale. Theksoj që administrata qëndrore (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) është autoriteti tatimor qendror i vetëm në RSh, që zbaton dhe administron tatimet kombëtare, pagesat publike dhe mbledhjen e kontributeve, ndërkohë që kontrolli operacional i tatimpaguesve por edhe inicimi i një kontrolli tatimor duhet të jetë kompetencë e Drejtorive Rajonale, siç edhe është me ligjin aktual.
✅ Krijohet sërish Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren e organizuar në nivel qendror dhe rajonal, duke nxitur sërish korrupsionin në terren, ndërkohë që me korrjen e suksesit të implementimit të sistemit te ri të fiskalizimit, pretendohej që edhe drejtoritë e kontrollit do të shkriheshin, pasi tatimpaguesit me risk të lartë mund të identifikoheshin lehtësisht më anë të këtij sistemi inovativ, pa pasur nevojën e identifikimit të evazionit fiskal në terren.
✅ Penaliteti në masën 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike, që fshehin dhe nuk deklarojnë pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi është në kundërshtim me nenin 111 “Sanksionet”, pika 5 të ligjit aktual, ku shprehimisht citohet: gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 % të detyrimit tatimor.
✅ Parashikimin e penaliteteve shumë të larta fikse jo konform parimit të proporcionalitetit të detyrimit të papaguar si rezultat i shkeljes, ndërkohë që sistemi i ri i fiskalizimit presupozon formalizimin e bizneseve, që do të thotë që dënime të tilla administrative nuk përkojnë me qëllimin e implementimit të këtij sistemi, të tilla si:
a. gjobë prej 750,000 lekësh për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar për mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore;
b. gjobë prej 1,500,000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese.
