Sipas studimit të kryer nga INAC nëpërmjet fokusgrupeve dhe intervistimit online rezulton se epiqendra e jetës e grupmoshës në studim dhe pritshmëritë ndaj tyre janë të fokusuara tek shkollimi, ndaj si rrjedhim shqetësimi kryesor i tyre lidhet me rezultatet akademike dhe vështirësitë e tyre. Në masën e duhur, ky shqetësim mund të shërbej si katalizator për të përmirësuar rezultatet ose për të vënë përpjekjet aty ku duhet, ndaj jo detyrimisht ky rezultat duhet të lexohet me ngjyrim negativ.
Nga ana tjetër, në mënyrë shqëtësuese duhet të lexohen rezulatet e tjera, ku 1 në 3 të rinj pohojnë se kjo grupmoshë ka shpesh probleme me bullizimin në shkollë, duhanpirjen dhe përjetim të anktit e stresit, problematika këto që shtrihen deri në 62%-73% edhe pse me frekuencë më të ulët. Bullizmi, paragjykimet dhe dhuna verbale raportohet të ndodhin më së shumti mes djemve, ndërsa pranojnë ne diskutime se ka edhe femra dhunuese. Gati gjysma e tyre deklarojnë se konsumohet alkool dhe hashash, por kjo sjellje ndodh shpesh sipas 16%-17% të të rinjve.
Ndonëse më të rralla, duhen parë me shqetësim, problemet me përdorimin e drogave të rënda dhe përfshirja në grupe kriminale që deklarohen si shqetësime nga të pakten 1 në 3 të rinj. Duhet theksuar që deklarimet janë perceptime rreth realitetit të të rinjve në qytetin e Elbasanit, pra jo detyrimisht përjetime personale të të intervistuarve. Matja vlerëson perceptimin rreth shqetësimeve të tyre ose bashkëmoshatarëve rreth tyre për të na dhënë një tablo të përgjithshme të të rinjve në qytetin e Elbasanit.
Gjatë diskutimeve me të rinjtë, vihet theksi tek diferencat mes të rinjve në përfundim të arsimit 9-vjeçar dhe atyre në arsimin e mesëm. Sjelljet shqetësuese të lartpërmendura duket t’i kenë fillimet e tyre në 9- vjeçare, por që janë më të shpeshta mes të rinjve në shkollën e mesme. Arsyetimet e sjella mbi angazhimin e të rinjve në sjellje jo të mira janë edukata e pamjaftueshme familjare ose problemet në familje, bullizmi, stimuli i parave dhe famës, joshja që i bëhet nga shoqëria e keqe, depresioni, dëshira rinore për adrenalinë, dëshira për të provuar gjëra të reja etj. Ngacmim ose pasiguri fizike në rrugë, lagjie, shkollë raportohet si ndodhi prej 62% e të rinjve dhe prej 1 në 4 të rinj perceptohet si ndodhi e shpeshtë.
Diferencat më të dukshme përsa i përket ngacmimeve ose pasigurive fizike në rrugë, gjenden në masën e atyre që dekarojnë se nuk ndodhin pasi 40% e djemve deklarojnë se nuk ndodhin asnjëherë kundrejt 25% e vajzave. Grupet e diskutimi vetëm me vajza nxori në pah se shpesh bashkëmoshataret e tyre janë të rrezikuara nga ngacmimet në rrugë më shumë se nga ngacmimet në shkollë. Ato pohojnë se një pjesë e mirë e vajzave ngacmohen nga djem dhe burra të rritur, ca më tepër se nga bashkëmoshataret e tyre. Ndërkohë nga ana tjetër grupet e diskutimit me djem konfirmojnë si problematike përndjekjen e vajzave nga bashkëmoshatarët e tyre, qofshin këto vajza moshatare apo edhe më të vogla. Për fat të keq vetë vajzat fajësojnë vetë bashkëmoshataret e tyre për ngacmimet në rrugë, por gjithashtu edhe për rastet e trafikimit. Të ndikuara nga opinionet e më të rriturve, ato e vënë theksin tek faji i vajzave provokuese në veshje dhe sjellje duke lënë mënjanë në gjykim fajtorët e vërtet të këtyre ndodhive. Vajzat pohojnë se mbështetja nga policia është e pandjeshme për shkak të mendësisë që ekziston, frikës se tyre për t’u shprehur dhe turpit nga gjykimi.
