Komentet mbi Holokaustin i kanë kushtuar një pezullim dy javor nga shfaqja e saj televizive në SHBA, aktores Whoopi Goldberg.
Vendimi ka ardhur nga drejtuesit e ABC për shkak se 66-vjeçarja ka bërë komente fyese duke u shprehur gjatë transmetimit se Holokausti përfshinte “dy grupe njerëzish të bardhë”. Aktorja, njëkohësisht edhe personazh televiziv tha se gjenocidi nazist i hebrenjve “nuk ishte për racë”.
“Me një vendim që hyn në fuqi menjëherë, pezulloj Whoopi Goldberg për dy javë nga transmetimi për komentet e saj të gabuara dhe lënduese. Ndërsa Whoopi ka kërkuar falje, unë i kam sugjeruar asaj që të gjejë kohë për të reflektuar dhe për të mësuar për ndikimin e komenteve të saj. E gjithë organizata ABC News solidarizohet me kolegët, miqtë, familjen dhe komunitetin hebre. Këto vendime nuk janë kurrë të lehta, por të nevojshme”, tha presidentja e ABC News, Kim Godwin.
Më herët të martën, Goldberg kërkoi faljen e saj të tretë publike.
“Dje në emision kam folur gabim”, tha ajo për hapjen e emisionit. Holokausti me të vërtetë ka të bëjë me racën, sepse Hitleri dhe nazistët i konsideronin hebrenjtë si një racë inferiore. Tani, fjalët kanë rëndësi, dhe të miat nuk bëjnë përjashtim. Më vjen keq për komentet e mia.”
Nuk është hera e parë që Goldberg shkakton polemika. Ajo tha në vitin 2009 se regjisori i filmit Roman Polanksi – i cili u deklarua fajtor për “marrëdhënie intime të paligjshme me një të mitur” në 1977 – nuk ishte fajtor për “përdhunim “.
