Mendohet që sinagogat hebraike të kenë ndihmuar romakët të piketonin më pas vijën Egnatia. Ky është një nga teoritë e fundit e disa studiuesve dhe arkeologëve në Elbasan. Më vonë mjaft objekte kulti të krishtera, ortodokse dhe myslimane u vendosën mbi këto objekte. Gjurmë të tyre hasen edhe sot në Peqin, Bradashesh, Tebë, Qukës e Polis të Librazhdit etj.
Sinagogat nuk kanë pasur vetëm karakter fetar. Në këto ndërtesa, përveç vendit të faljes, kishte edhe qendra pushimi, mensa, bujtina, banjo, qendra kulturore etj. Qëllimi i izraelitëve ka qenë që të depërtonin në Perëndim. Ata ishin tregtarë të sprovuar të kohës dhe këto objekte i orientonin ata të lëviznin nga Lindja drejt Perëndimit. Elbasani ka shërbyer si nyje e rëndësishme hebraike. Gjurmë të sinagogave dallohen sot në Tebë në anën Perëndimore të Elbasanit sipër urës së Zaranikës në ullishtë. Por sinagoga më e rëndësishme ka ekzistuar në dalje të Bradasheshit në afërsi të Metalurgjikut. Kjo sinagogë ka pasur përmasa të mëdha. Ndërsa gjurmë të sinagogave që u ndërtuan më vonë hasen ende në lagjen “Kala” dhe në qendër të Elbasanit.
Gjatë luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetra familje hebrenjsh. Mes familjeve që strehuan Hebrenj përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri, etj. Ajo çfarë mahnit sot gjithë studiuesit ënë e kënd botës është fakti se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që u tregua bujar e mikpritës i Hebrenjve edhe pse ishte një vend mysliman. Edhe në Elbasan, mjaft familje myslimane strehuan dhjetëra familje hebrenjsh.
E tillë ka qenë familja e Jonuz Domit dhe të tjerave në qytet. Por i jashtëzakonshëm është rasti i familjes së Mefail Biçakut nga Qarrishta e Librazhdit i cili strehoi 26 hebrenj përgjatë viteve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, pra në stuhinë nazistë të vitit 1943-44. Banori dhe koleksionisti i lagjes Kala, Vangjel Kapedani shprehet se “gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan rreth 30 familje hebrenjsh”.
Banorët e lagjes Kala panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së Luftës hebrenjtë kanë qëndruar brënda katër mureve të shtëpive që i strehonin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagje ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të luftës ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan elbasanllinjtë me viza, bursa studimi etj. Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë.
