Hipoteza e një Botërori tjetër pa praninë e Italisë “tremb shumë” Giovanni Malago, i cili mendon dhe madje është i bindur, se “Katari 2022” pa “azzurrët” e Roberto Mancinit “do të ishte shumë i trishtuar”.
Këtë e pranoi vetë presidenti i CONI-t në një intervistë për “Il Messaggero”. Pas triumfit në Kampionatin Europian, kombëtarja italiane, kampione e Europës, do të duhet të kalojë në mars për shtojcën e pavolitshme dhe të komplikuar të “playoff”-it për të siguruar biletën për në finalet e Botërorit.
Por fillimisht duhet të kalojë sfidën në Palermo kundër Maqedonisë së Veriut, pastaj në rast fitoreje do të ketë edhe sprovën e dytë delikate jashtë fushe kundër Portugalisë apo Turqisë.
“Presidenti i FIGC-së Gabriele Gravina ka thënë, se një dështim për t’u kualifikuar nuk do të ndryshonte fatin e tij, as të Mancinit,- nënvizoi Malago, – legjitime, por kjo do të ishte një goditje për të gjithë sportin italian”.
