PD: SPAK të hetojë rolin e Erion Veliajt në aferën e incineratorit të Tiranës

Partia Demokratike i kërkon SPAK të hetojë rolin dhe përfitimin e kryebashkiakut, Erion Veliajt si pjesë e asaj që e quan anëtar të grupit të strukturuar kriminal në aferën e incineratorit të Tiranës.

Në një konferencë për median, anëtarja e komisionit parlamentar të hetimit për incineratorët, Ina Zhupa ofroi dokumente ku kryebashkiaku ka marrë dhe tagrin e këshillit bashkiak dhe të 4 bashkive të tjera të qarkut të Tiranës për ndërtimin e incineratorit.

“Përkundrejt asaj që kërkon ligji, Erion Veliaj nuk e kaloi projektin e incineratorit në këshillit bashkiak por vetëfirmos dhe flet në emër të këshillit Tiranë. Letra e miratimit është për të gjithë bashkitë e qarkut të Tiranës të cilët nuk janë shprehur apo kanë qenë kundër. Kavaja, Vora, Rrogozhinë, Kamza nuk kanë shprehur mendim fare lidhur me incineratorin e Tiranës”

Nuk ndalet me kaq.

Duke iu referuar auditit të ministrisë së Financave, PD denoncon dëmin ekonomik.

“Shteti i ka paguar Mirel Mërtirit  incineratorit të Tiranës 100% të parave të planifikuara. 3.2 miliardë lekë ndërkohë po sipas këtij raporti Mirel Mërtiri ka investuar vetëm 31 % të vlerës së planifikuar që do të bënte investim. Lind pyetja? Ku janë 70 % të parave që janë dhënë për incineratorin e Tiranës. Si janë ndarë këto para. Ky është detyrim I SPAK të bëjë zbardhjen se kush janë përfituesit realë të parave që jepen nga buxheti I shtetit me demek për incineratorët por që 30% ka shkuar atje ndërkohë që 70 % nuk u dihet destinacioni. Vlera e incineratorëve është 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto” tha Ina Zhupa.

Jo vetëm kaq incineratori i Tiranës ka vijuar punën normalisht edhe pa lejen mjedisore “sepse kishte mbrojtje politike dhe shtetërore”