Një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifonov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofja mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë.
“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë”, -tha Trifonov, prezantues i njohur televiziv.
Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen.
“Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale.
