TIRANË- Një person me rezikshmëri të lartë shoqërore është kapur në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari ishte i dënuar me 21 vite burg e 9 muaj e 20 ditë për disa vepra penale të kryera. I arrestuari është identifikuar si Orando Çeta, 40 vjeç, banues në Tiranë.
Lokalizimi i tij u bë në zonën e Saukut ndërsa mësohet se ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Triestes për veprat penale “Vjedhje të rënda”; “Mashtrim”; “Trafikim të lëndëve narkotike”; “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”; “Plagosje”; “Kanosje”; “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”. Nga dënimi i dhënë, i ka mbetur për të vujatur edhe 20 vite e 6 muaj, ndërsa po kryhen procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
NJOFTIMI:
“Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “FAST”.
Kapet në Tiranë një person i kërkuar nga Italia, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 21 vjet e 9 muaj e 20 ditë burgim për disa vepra të rënda penale.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, lokalizuan në zonën e Saukut, Tiranë, kapën dhe arrestuan, me qëllim ekstradimi, shtetasin Ornado Çeta alias Ceta, 40 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Triestes, Itali, e ka dënuar me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhje të rënda”; “Mashtrim”; “Trafikim të lëndëve narkotike”; “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”; “Plagosje”; “Kanosje”; “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”. Nga dënimi i dhënë, i kanë mbetur për të vuajtur 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.”




