Lihet në burg 60-vjeçari që i dërgoi mesazhe erotike nxënëses 13-vjeçare në Lushnjë

FIER — Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për mësuesin Madrid Sula.

Arsimtari 60-vjeçar doli para togave të zeza pasi ngacmoi seksualisht përmes mesazheve telefonike nxënësen e tij të mitur.

Ndaj 60-vjeçarit rëndojnë zyrtarisht akuzat për veprat penale “Ngacmim seksual”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pornografi”.

Skandali u zbulua pasi 13-vjeçarja u tregoi prindërve për komunikimet e papërshtatshme me përmbajtje erotike.

Menjëherë pas denoncimit të familjarëve në Policinë e Lushnjës, efektivët e rendit prangosën mësuesin.

Trupit gjykues i mjaftuan provat materiale të administruara për ta lënë pas hekurave 60-vjeçarin deri në përfundim të hetimeve.