“Si je?, ende gjallë”, këto kanë qenë mesazhet e fundit të Ferdinand Nokajt.
25-vjeçarit me origjinë shqiptare, i lindur në Fano të Italisë dhe që jetonte me familjen në Colli al Metauro. I riu prej pesë vitesh jetonte në Rovereto, ku studionte psikologji në universitet.
Mesazhi i fundit është dërguar në orën 19:16 të 30 gushtit. Pas kësaj, Ferdinandi nuk është përgjigjur më.
Të nesërmen, vëllai i tij denoncoi zhdukjen te karabinierët e Fanos. Pesë ditë më vonë, më 5 shtator, trupi i një të riu u gjet në brigjet e lumit Adige, në Grumo, në territorin e komunës së San Michele all’Adige, rreth 42 kilometra larg Roveretos.
Për rreth tre javë, familja nuk e dinte se trupi i gjetur ishte ai i Ferdinandit. Prindërit vazhduan kërkimet, ndërsa babai udhëtonte vazhdimisht drejt Trentos dhe Roveretos, pa e ditur se i biri ndodhej në morgun e spitalit Santa Chiara.
Vetëm më 25 shtator, babai arriti ta identifikonte trupin e pajetë të djalit të tij, nga fytyra dhe nga një tatuazh në gjoks.
“Më kanë sulmuar”, mesazhet e fundit të 25-vjeçarit
Tre orë para mesazhit të fundit “Ende gjallë”, Ferdinandi kishte kontaktuar familjen dhe u kishte treguar se ishte sulmuar në Rovereto nga disa djem shqiptarë.
Sipas familjes, në fytyrën e tij kishte shenja të dukshme dhe ai ishte i frikësuar. Babai i kishte kërkuar të shkonte menjëherë te karabinierët.
“Kjo është ajo që po mendoj të bëj, babi”, i ishte përgjigjur Ferdinandi.
Megjithatë, nuk rezulton që ai të jetë paraqitur te karabinierët. Në orën 17:21 kishte komunikuar sërish me vëllain e tij, këtë herë nga stacioni hekurudhor i Roveretos. Vëllai mendon se Ferdinandi mund të ketë pasur ndërmend të kthehej në shtëpi.
Në orën 19:16 erdhi mesazhi i fundit: “Si je?”. Përgjigjja e Ferdinandit ishte: “Ende gjallë”.
Më pas, telefoni i tij nuk u përgjigj më.
Telefoni sinjalizoi në Tirolin e Jugut
Hetimet mbi telefonin e të riut çuan autoritetet deri në Termeno sulla Strada del Vino, në Tirolin e Jugut, rreth 64 kilometra larg Roveretos.
Ende nuk dihet se si Ferdinandi kishte përshkuar këtë distancë. Sipas familjes, ai kishte me vete vetëm një çantë të vogël që mbahej në sup.
Ndërkohë, më 5 shtator, në brigjet e lumit Adige, në Grumo, u gjet trupi i pajetë i një të riu. Në atë moment, autoritetet nuk e lidhën trupin me studentin e zhdukur.
Familja ndërpret pushimet dhe nis kërkimet
Në kohën e zhdukjes së Ferdinandit, prindërit ndodheshin në Shqipëri. Pas lajmit, ata ndërprenë pushimet dhe u nisën drejt Roveretos.
Më 1 shtator ndodheshin te karabinierët, ndërsa babai nisi kërkimet në terren. Ai udhëtonte vazhdimisht nëpër Trentino, kontaktonte miqtë dhe të njohurit e djalit dhe kërkonte informacion nga autoritetet.
Në mes të shtatorit, familja angazhoi edhe avokatin Francesco Bonatesta. Më 18 shtator, ai i kërkoi Komisariatit të Qeverisë për Provincën e Trentos aktivizimin e planit provincial për kërkimin e personave të zhdukur.
Më në fund, në mbrëmjen e 24 shtatorit, në orën 23:10, babai mori telefonatën që familja kishte pritur dhe njëkohësisht kishte frikë ta merrte.
Karabinierët e Roveretos i kërkuan të paraqitej të nesërmen dhe më pas e shoqëruan në spitalin Santa Chiara të Trentos. Atje, ai identifikoi trupin e të birit nga fytyra dhe nga tatuazhi në gjoks.
Për vdekjen e 25-vjeçarit po heton Prokuroria e Trentos, e cila ka hapur një dosje për nxitje të vetëvrasjes. Rrethanat që çuan në vdekjen e Ferdinandit dhe ajo që ka ndodhur pas kontaktit të tij të fundit me familjen mbeten objekt i hetimit.




