E trishtë në Greqi! Futbollisti 16-vjeçar shqiptar humb jetën gjatë ndeshjes. Emri

KAVALË — Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Shqipëri dhe Greqi, ku futbollisti 16-vjeçar me origjinë shqiptare, Asllan Gjana, ka ndërruar jetë në spitalin e Kavalës si pasojë e dëmtimeve të rënda në kokë të pësuara gjatë një ndeshjeje futbolli.

Gjana, i cili aktivizohej me skuadrën Byronas Kavala II në divizionin e dytë të Shoqatës Greke të Futbollit, pësoi incidentin tragjik të së dielës gjatë përballjes ndaj Aiandas Panagias në ishullin e Thassos. Që në minutën e dytë të takimit, gjatë një vrapi për të kapur topin, 16-vjeçari doli nga vijat kufizuese të fushës dhe goditi fort pjesën e pasme të kokës në gardhin mbrojtës të stadiumit, duke humbur menjëherë ndjenjat.

Pas ndërhyrjes së parë nga mjeku i ndeshjes, adoleshenti u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv në gjendje mjaft kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve.

Lajmi i hidhur u konfirmua zyrtarisht mëngjesin e sotëm nga vetë klubi i Byronas Kavalës përmes një reagimi prekës në rrjetet sociale.

“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj, futbollistit të Byron II, Asllan Gjanës, Anit tonë, i cili u nda nga jeta kaq padrejtësisht dhe para kohe. Në këto kohë të vështira, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe të dashurve të tij. Bajroni i Kavallës është në zi, humbi një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona,” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit grek.