Aktgjykimi në Hagë / Kuvendi i Kosovës miraton me 99 vota pro Deklaratën për ish-krerët e UÇK-së: E papranueshme, të mbrohet e vërteta historike

PRISHTINË — Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar këtë të hënë me unanimitet të plotë një deklaratë zyrtare që kundërshton aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan me një total prej 81 vjetësh burgim.

Deklarata e përbashkët, e lexuar në foltoren e Kuvendit nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, mori 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, duke bërë bashkë Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupin Parlamentar Multietnik.

Në textin e deklaratës, Kuvendi i Kosovës e cilëson si të papranueshëm përfundimin e Gjykatës Speciale për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” nga ana e udhëheqësve të UÇK-së, duke nënvizuar se e vërteta e vetme e provuar gjyqësisht edhe nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë është fushata gjenocidale dhe spastrimi etnik i ushtruar nga regjimi serb.

Kuvendi i bën thirrje institucioneve shtetërore të hartojnë një strategji të përbashkët juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe kërkon nga Dhomat e Specializuara që të respektojnë mandatin e tyre në përputhje me vullnetin kushtetues të Republikës së Kosovës.


Deklarata e plotë e Kuvendit të Republikës së Kosovës

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA N NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit;

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, përdori dhunën seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje;

I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Nënëvizuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n;

MIRATON KËTË DEKLARATË:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.

Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

Rikujton se në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.

Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

Thekson se e vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.