Merr flakë lokali në Athinë ku u vra Pëllumb Islami, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

GREQI- Një zjarr i madh shpërtheu herët të hënën në mëngjes në një kafene në rrugën Kastamonis, në Nea Ionia, Greqi. Flakët nisën në katin përdhes dhe u përhapën me shpejtësi në tre katet e pallatit, ndërsa banorët e ndërtesës u detyruan të largoheshin me urgjencë. Një prej tyre tregoi se ishte zgjuar nga zjarri dhe së bashku me bashkëshortin, kishte dalë në ballkon për të njoftuar banorët e tjerë.

Sipas saj, disa prej tyre u detyruan të kalonin përmes flakëve për të dalë nga ndërtesa. Në vendngjarje mbërritën 18 zjarrfikës me pesë automjete, si dhe një automjet special me shkallë, ndërsa ekipet e shpëtimit nxorën disa persona nga pallati. Sipas dëshmive, pak para shpërthimit të zjarrit është dëgjuar një shpërthim në katin përdhes. Autoritetet po hetojnë nëse shkak mund të ketë qenë një bombol gazi apo zjarrvënie e qëllimshme.

Lokali është i njëjti ambient ku më 22 shkurt 2023 u ekzekutua me armë zjarri 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami. Autoritetet greke nuk kanë deklaruar deri tani nëse zjarri i sotëm ka ndonjë lidhje me vrasjen e Pëllumb Islamit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident të rastësishëm apo për një akt të qëllimshëm.