ELBASAN — Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me shumicë votash propozimin për riorganizimin administrativo-territorial të qarkut, i cili parashikon fuzionimin e Bashkisë Elbasan me ato të Cërrikut dhe Belshit. Mbledhja e zhvilluar këtë të enjte në orën 17:00 u shoqërua me debate të ashpra politike, përplasje për konsultimet publike dhe incidente gjatë procesit të votimit.
Në hapje të diskutimeve, kryetari i grupit të këshilltarëve të shumicës, Hektor Çiftja, e mbrojti propozimin duke e cilësuar atë si një reformë historike dhe të domosdoshme për rajonin. Çiftja argumentoi se bashkimi i tri bashkive do të krijojë një njësi më të konsoliduar administrative dhe ekonomike, e cila do të mundësojë më shumë investime, menaxhim më eficient të burimeve dhe rritje të cilësisë së shërbimeve publike.
Nga ana tjetër, opozita u shpreh kategorikisht kundër këtij varianti. Kryetarja e grupit të këshilltarëve të opozitës, Bianka Çopja, kërkoi ruajtjen e statusit ekzistues të tri bashkive dhe paraqiti propozimin alternativ të Partisë Demokratike për krijimin e dy bashkive të reja, Bradashesh dhe Shpat, me qëllim ruajtjen e decentralizimit dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët.
Debatit i dha një tjetër dimension këshilltarja Doris Madhi, e cila hodhi dyshime mbi vlefshmërinë e konsultimeve publike, duke i cilësuar ato si një formalitet me pjesëmarrje të ulët. Gjatë fjalës së saj, Madhi u shpreh se “mjerisht e them me dhimbje se aktualisht qytetarët kanë tradhtuar opozitën, por edhe veten”.
Përplasja më e fortë politike u shënua nga këshilltari i mandatuar nga PSD, Erion Murataj, i cili sulmoi ashpër si shumicën ashtu edhe opozitën kryesore.
Gjatë fjalës së tij përpara këshillit, Erion Murataj deklaroi:
“Pasi zhbëtë identitetin krahinor, sot PD dhe PS prodhuan shpopullim, varfëri, mjerim. Po i jepni kazmën e fundit me pseudoreformën të ardhmes së Shqipërisë dhe të ardhmes së shqipartëve. Do ju dalë përpara një Avni Rustemi. Jam kategorikisht kundër kësaj reforme.”
Situation agravoi përpara procedurës së votimit, ku në sallë ishin të pranishëm 37 nga 51 këshilltarë. Këshilltari Erion Murataj ndërhyri në aparaturat elektronike të votimit duke fikur disa prej tyre. Menjëherë pas këtij incidenti, tetë këshilltarë të Partisë Demokratike dhe një këshilltare e Partisë së Lirisë u larguan nga salla në shenjë proteste.
Pavarësisht tensioneve, propozimi u hodh në votim dhe u miratua me 26 vota pro dhe 2 kundër nga këshilltarët e pranishëm. Pjesë e dosjes zyrtare ishin edhe të dhënat nga dëgjesat publike ku nga 589 qytetarë pjesëmarrës, 516 prej tyre u shprehën pro bashkimit dhe 73 kundër. Me këtë votim, Këshilli Bashkiak i Elbasanit përcaktoi qëndrimin e tij institucional, ndërsa reforma pritet të kalojë për shqyrtim në hallkat e tjera vendimmarrëse.




