Elbasani shpallet zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit 2027” nga ACES Europe

Qyteti i Elbasanit ka shënuar një arritje historike në arenën ndërkombëtare, duke u kurorëzuar zyrtarisht me titullin prestigjioz “European City of Sport 2027” nga organizata e njohur ACES Europe. Ky çmim vjen si pasojë e një vizioni të qartë dhe punës së gjithanshme për gjallërimin e jetës sportive, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen e gjithanshme ndaj talentit të ri sportiv në të gjithë disiplinat.

Në mesazhin e tij zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Klubit Shumësportësh Elbasani, z. Artin Kovaçi, u shpreh se kjo fitore i dedikohet bashkëpunimit institucional me Bashkinë e Elbasanit, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sportit. Një falënderim i posaçëm iu adresua edhe stafit të klubit për përkushtimin profesional që bëri të mundur këtë sukses me ngjyrat verdheblu.

Tashmë syte janë drejtuar nga Brukseli, ku pas disa javësh do të mbahet edhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit, çka pritet t’i hapë rrugë iniciativave dhe aktiviteteve të reja me përmasë evropiane për qytetin e Elbasanit.