Vendimi i Apelit të GJKKO-së / Lihen në burg biznesmeni Ergys Agasi dhe ish-zyrtari Uljan Shpataraku

TIRANË — Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasi dhe ish-zyrtarin e policisë Uljan Shpataraku, duke rrëzuar kështu kërkesën e tyre për zbutjen e masës shtrënguese.

Vendimi u marr nga trupa gjykuese monokratike e përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili shqyrtoi ankimimet e dy personave nën hetim kundër vendimeve të Shkallës së Parë.

Lidhur me vendimmarrjen për biznesmenin Ergys Agasi, Gjykata e Posaçme e Apelit njoftoi zyrtarisht:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të sigurimit, si vijon: Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”

I njëjti trup gjykues miratoi gjithashtu masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për personin tjetër nën hetim, Uljan Shpataraku, duke lënë të paprekur vendimin nr. 63, datë 29 gusht 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Hetimet ndaj dy të arrestuarve vijojnë në kuadër të dosjes së abuzimeve me tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe daljes së dokumenteve sekrete shtetërore.