Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë finalizuar operacionin policor “Skema”, në kuadër të të cilit është arrestuar Kumrie Zika.
39-vjeçarja e njohur si “Kumi”, është vendosur në pranga pas disa raportimeve nga bizneset në Tiranë, ku paraqitej për punë, por që në ditët e para vidhte xhirot ditore.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja.
Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.
Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.




