PS injoron kundërshtitë, më 8 tetor do të miratojë me votat e veta Hartën e re Territoriale

Debatet dhe kundërshtitë e shumta, edhe mes tyre në nivel vendor, nuk i kanë stepur socialistët sa i përket Hartës së re Territoriale.

Përkundrazi, ritmi i procedurës parlamentare parashikohet të jetë i përshpejtuar. Gjithçka nis në Konferencën e Kryetarëve të hënën dhe më tej në Komisionin e Ligjeve me miratimin e kalendarit të punës për Reformën Administrative Territoriale, që socialistët parashikojnë ta votojnë në seancë plenare të enjten e 8 tetorit,

Burimet kanë shtuar se afati maksimal do të jetë e datës 15 për shkak dhe të llogaritjes së afateve para zgjedhjeve vendore për të lënë afatet e duhura në përgatitjen e procesit elektoral.

Diskutimet parlamentare do të zgjasin vetëm dy javë dhe nisin të mërkurën e 23 shtatorit me prezantimin në parim të ndarjes së re të propozuar nga PS, ku reduktohen 15 bashki.

Seancat dëgjimore janë parashikuar të zhvillohen me: Këshillin e Ministrave, Shoqatën Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, Shoqatën e të Zgjedhurve Vendorë, ekspertë të qeverisjes vendore.

Të gjitha në një ditë të vetme, programuar për më 28 shtator. Një javë i lihet diskutimit nen për nen dhe miratimit në tërësi nga Komisioni i Ligjeve më 5 tetor, për t’ia kaluar seancës së 8 tetorit, ku PS duhet të bëjë përsëri 84 votat e nevojshme.

Më tej, do të jetë koha në dispozicion të Presidentit për shqyrtim dhe dekretim e më tej hyrjen në fuqi.

Në 15 bashki që humbin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe bashkohen me bashkitë fqinje, me këshilltarë të majtë dhe të djathtë, u bënë bashkë për të ndalur hartën e re në këshillat bashkiakë, por pa sukses.

Propozimi i PS redukton bashkitë nga 61 aktualisht në 46, duke shkrirë Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Dimalin, Poliçanin, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Përrenjasin.

Kjo do të jetë hera e dytë që socialistët në qeverinë Rama miratojnë ndarje administrative territoriale të vendit, e para në 2014 dhe tani në 2026, dhe ajo që mbetet e pandryshuar është mungesa e konsensusit, ku opozita kërkon një numër më të madh njësish vendore, 100 të tilla, ndërsa socialistët 46.