FIER- Një ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, një përfitues pronash dhe një ish-hartograf janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Fierit, për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve dhe regjistrimin e paligjshëm të gjashtë pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit. Sipas Prokurorisë, dy prej personave nën hetim janë vendosur në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ish-hartografi është lënë me masën “Detyrim për t’u paraqitur”.
Hetimi lidhet me regjistrimin e rreth 71.7 hektarëve tokë. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar rreth 716 mijë euro në një llogari bankare, si dhe dokumente dhe pajisje elektronike që dyshohet se kanë lidhje me çështjen.
Prokuroria po verifikon gjithashtu transaksionet e kryera me disa prej pronave pas regjistrimit të tyre. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në skemë dhe për përcaktimin e përgjegjësive penale.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u arrestuan shtetasit, E.S., ish-Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfituesi i pronave, të dyshuara të marra me dokumente të falsifikuara E.H., si dhe u dha masë sigurimi ‘Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore’ për shtetasin E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 1715, datë 05.11.2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga nenet 186, 143, 287 dhe 248 të Kodit Penal, nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.
Fakti penal i dyshuar lidhet me vendimin e vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 ha tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., ka përfituar më pas, me Vendimin nr. 1944, datë 26.11.2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar në vlerën 53.800.000 lekë.
Pavarësisht kompensimit financiar, nga hetimi dyshohet se gjatë vitit 2023, shtetasi E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e 6 pasurive në ZK nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 ha, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21.02.2008. Hetimi deri ne këtë fazë ka evidentuar veprimet e E.S., ish-Drejtor i ASHK Fier, dhe E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre. Gjatë hetimit u sekuestruan edhe 715.976 euro, të depozituar në llogarinë bankare të E.H. Si dhe janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.




