“Kjo betejë nuk ka mbaruar”/ I ati u dënua me 25 vite burg, reagon djali i Hashim Thaçit: Historinë tonë nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim

KOSOVË- Djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, ka reaguar pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përshirë të atin që u dënua me 25 vjet burg. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi shprehet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kanë qëndruar pranë familjes së tij ndër vite, gjatë procesit gjyqësor ndaj babait të tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Ai shtoi më tej se sapo të kthehet në Kosovë do t’i bashkëngjitet zërit të atyre që protestuan dhe u solidarizuan, ndërkohë theksoi se “kjo betejë nuk ka mbaruar”.

“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit. Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të Babit dhe shokëve të tij. Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si Babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi. Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim,” tha Endri Thaçi.