TIRANË- Deri në fund të muajit qershor 2026 në Shqipëri ishin të punësuar 22,6 mijë shtetas të huaj, nga 18 mijë që ishin në 2025. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit filipinasit, indianët dhe egjiptianët kryesuan punësimet e reja, ndërsa bizneset po mbështeten gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore nga jashtë për shkak të emigracionit. Punonjësit e huaj zunë 3.1% të totalit të të punësuarve në vend. Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje do të forcohet
Prej disa muajsh, dy të rinj nga India, me profesion inxhinierë, janë të punësuar në kompaninë shqiptare “Ital Costruzioni”, prodhues i strukturave metalike tërësisht për tregun europian. Të rinjtë thonë se arsyeja kryesore e punësimit në Shqipëri është paga e lartë deri në 50% më shumë sesa në Indi. Por gjithashtu punësimi në vend po iu jep atyre mundësi për përvojë në tregun europian.
“Në Shqipëri fitoj rreth 50% më shumë të ardhura mujore sesa në Indi dhe me pagën time arrij të mbështes familjen për të përmirësuar cilësinë e jetës”, pohon për “Monitor” 25-vjeçari Mayur Prajapati, një nga dy inxhinierët indianë i cili prej dy vitesh punon në këtë kompani.
Bashkë me të është edhe Irfan Ansari, 23 vjeç, i cili prej shtatë muajsh punon si inxhinier i sigurisë. “Prej 7 muajsh punoj në Shqipëri. Kam ardhur këtu për mundësi më të mira në karrierë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për t’u zhvilluar profesionalisht”, thotë ai, duke vlerësuar mjedisin e punës dhe mbështetjen që ofron kompania.
Dy të rinjtë pohojnë se përveç pagave më të larta 30 deri në 50% krahasuar me Indinë, kompania u siguron edhe akomodim, ushqim, transport dhe sigurim privat shëndetësor. Gjithashtu kanë mundësinë të marrim pjesë në aktivitete sociale të organizuara nga kompania. Për Irfan Ansarin, Shqipëria ka qenë një mundësi për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare, ndërsa për Mayur Prajapatin, një vend ku mund të fitojë përvojë profesionale në një mjedis të sigurt dhe bashkëpunues.
“Përparësitë e punës në Shqipëri janë cilësia më e mirë e jetës, mjedisi i mirë i punës dhe një kompani shumë e mirë ku të punosh. Sfida kryesore është që duhet të vazhdojmë gjithmonë të përmirësojmë aftësitë dhe njohuritë tona për t’u zhvilluar profesionalisht”, pohon Mayurin, inxhinieri 25-vjeçar.
Në kompaninë “Ital Construzioni” janë të punësuar 54 punonjës të huaj nga India dhe Bangladeshi duke përbërë 45% të totalit të të punësuarve.
Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, prej 5 vitesh vijon të investojë për punësimin e stafit të huaj. Kompania ka ngritur një skemë të konsoliduar, që krahas pagave, që për punonjësit e huaj variojnë nga 600 deri në 1000 euro në muaj sipas pozicioneve, përfshin akomodimin, ushqimin në mensën e mjediseve të punës, kujdesin shëndetësor privat (në ambientet e fabrikës gjithashtu është i punësuar i përhershëm një mjek), transportin, sigurinë në punë dhe trajnimet profesionale.
Drejtuesja e kompanisë, Ornela Haxhiri, thotë se prej disa vitesh, ata janë përballur me sfidën për gjetjen e punonjësve, ndaj për këtë arsye është parë punësimi i të huajve si zgjidhje e qëndrueshme. Zonja Haxhiri thekson se një nga arsyet kryesore të mungesës së fuqisë punëtore vendase mbetet emigracioni, veçanërisht i të rinjve me arsim profesional. Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve teknologjike që po përdoren në prodhim, investimi për kualifikimin profesional të burimeve njerëzore përbën një nga avantazhet konkurrues.
“Për ne, punonjësit nuk janë thjesht burime njerëzore, por njerëz që duhet të ndihen të vlerësuar dhe pjesë e kompanisë. Pikërisht kjo qasje ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e tyre të qëndrojnë me ne prej vitesh. Përvoja na ka mësuar se njerëzit nuk qëndrojnë vetëm për arsye ekonomike. Ata qëndrojnë aty ku ndihen të respektuar, të sigurt dhe pjesë e një kompanie që investon te zhvillimi i tyre.
Sot mund të themi se kjo skemë është shndërruar nga një nevojë e tregut në një avantazh konkurrues dhe në një investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor, i cili mbetet aseti më i rëndësishëm i kompanisë”. Industria po përballet ndërkohë edhe me rritjen e vazhdueshme të standardeve europiane në aspektin e cilësisë, sigurisë, gjurmueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, znj. Haxhiri u rekomandon kompanive vendase të prodhimit, që krahas investimeve në teknologji, të investojnë edhe për zhvillimin dhe aftësimin profesional të kapitalit njerëzor.
Numri i të huajve të punësuar në Shqipëri arrin gati 23 mijë shtetas
Deri në muajin qershor 2026 stoku i numrit të shtetasve të huaj të punësuar në vend arriti në 22,6 mijë individë nga 18,1 mijë që ishin deri në muajin dhjetor 2025, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit.
Tendenca rritëse e të që punësohen në vend edhe në vitet e mëparshme ka qenë me rritje. Për 2025 numri i tyre u rrit me 43,4% kundrejt vitit 2024. Për vitin 2026, rreth 90% e tyre apo 20,3 mijë shtetas janë të pajisur me leje unike nga punëmarrësit. Teksa 10% e tyre apo 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar në Shqipëri si të vetëpunësuar, kryesisht nga Kosova, Italia e Turqia.
Numrin e të punësuarve nga punëmarrësit e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Për të gjitha këto vende janë miratuar 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend. Sipas të dhënave numri i filipinasve të punësuar në vend deri në Qershor 2026 arriti në 3,552 shtetas të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar në vend.
Pas tyre janë shtetasit nga India me 3,423 të punësuar apo 15% të totalit. Shtetasit nga Egjipti arritën në 3,283 të punësuar. Pas tyre renditet Turqia me 1,503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1,306 leje. Më tej, ndër shtetet e tjera me numër më të lartë të punëmarrësve të huaj të pajisur me leje unike janë SHBA-të me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas, Kina me 212 shtetas të pajisur me leje unike nga punëmarrësit etj.
Vitet e fundit shumë sipërmarrës, veçanërisht të sektorit të shërbimit në bare dhe restorante kanë pohuar për Monitor se kanë rritur ndjeshëm punësimin e shtetasve të huaj nga Filipinet dhe India. Shumë të huaj nga këto shtete, janë të punësuar në bare dhe restorante në pozicione pune, si kamarier, pastrues apo kuzhinierë. Të tjera punësime janë bëra edhe në fabrikat e prodhimit, të cilët po punësojnë inxhinierë të rinj nga India.
Ndërsa shtetasit nga Egjipti më tepër po punësohen nga sektori i transportit, blegtorisë dhe në agroturizëm. Po ashtu, së tepërmi punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet po punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë. Nga gjithsej 2,361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë ose rreth 37% e totalit. Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar etj.
Punonjësit e huaj arrijnë në 3.1% të të punësuarve
Pavarësisht tendencës rritëse ndër vite të numrit të shtetasve të huaj të pajisur me leje pune, struktura e tregut të punës në vend vijon të dominohet nga punëtorët vendas, ndërsa pjesëmarrja e të huajve në tregun shqiptar të punës mbetet ende e ulët në raport me totalin e të punësuarve. Në vitin 2025, punonjësit e huaj zunë një peshë prej 3.1% kundrejt totalit të të punësuarve në vend, nga 2.2% që ishte pesha e tyre e vitin 2024.
Në vitin 2018, në vend rezultuan 3,911 kërkesa të miratuara online për leje pune për shtetas të huaj, që përfaqësonin 0,7% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo përqindje u ul më tej duke arritur në 0,6% në vitin 2020, si pasojë e ndikimeve nga pandemia e Covid-19 dhe kufizimeve ndërkombëtare të lëvizjes.
Nga viti 2021 e më tej, tendenca e kërkesave të miratuara për leje pune për shtetasit e huaj në vend ndryshoi ndjeshëm. Në vitin 2023, numri i tyre arriti në 8,305 leje pune. Krahasuar me 2022, numri i tyre u rrit me rreth 65%. Pavarësisht rritjes së lejeve të miratuara për punësim, përqindja e tyre në totalin e të punësuarve vijoi të mbetet e ulët, përkatësisht për vitin 2021 zunë 0,9%, për vitin 2022 zunë 1,5% të totalit të të punësuarve dhe në 2023, pesha e tyre ishte 1,7%.
Për ekspertin e çështjeve të rekrutimit të stafeve Erald Pashaj, njëkohësisht dhe drejtor ekzekutiv i EPPC Albania & Kosovo, pesha e punonjësve të huaj, në raport me forcën e punës, mbetet e papërfillshme për tregun shqiptar të punës.
Zoti Pashaj argumenton se, nëse Shqipëria do të përshpejtojë rritjen ekonomike mbi nivelin 4%, gradualisht skema e punonjësve të huaj do të arrijë të shndërrohet në një investim të përhershëm për kompanitë shqiptare. Në të kundërt, rekrutimi i tyre do të mbetet një alternativë e përkohshme.
“Nëse Shqipëria do të vijojë të ketë rritje ekonomike mbi 4%, atëherë do të rritet edhe nevoja për fuqi punëtore të huaj. Në të kundërt, numri i tyre nuk pritet të shtohet. Vetëm një ekonomi në zgjerim mund ta kthejë këtë zgjidhje të përkohshme në një fenomen të qëndrueshëm, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera të rajonit dhe Europës.
Kjo do të thotë se numri i punonjësve të huaj do të vijojë të rritet gradualisht, kryesisht nga vende me nivel më të ulët të ardhurash se Shqipëria, si Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet. Në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare kanë gjithnjë e më pak mundësi për të gjetur fuqi punëtore vendase. Nëse ekonomia vazhdon të zhvillohet, do të ketë gjithnjë e më shumë të huaj që do të zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë për periudha më të gjata në Shqipëri.
Edhe pse në disa raste, kostoja e rekrutimit të tyre është më e lartë sesa punësimi i një punonjësi vendas, edhe kostot e fuqisë punëtore shqiptare janë rritur ndjeshëm. Në këto kushte, punësimi i të huajve nuk është më një alternativë, por domosdoshmëri. Praktikisht, nuk ka një tjetër plan”. Z. Pashaj rekomandon se në të ardhmen, Shqipëria do të duhet të aplikojë një regjim kuotash për punësimin e shtetasve të huaj, siç ndodh në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Aktualisht nuk ekziston një sistem i tillë në vend.
Burimi: INSTAT, AKPA, Përpunime të Monitor
Shtetasit nga Kosova dhe Italia ndjekin procedura të lehtësuara për punësimin
Në vitin 2025, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, numri i shtetasve nga Kosova të pajisur me leje qëndrimi në vend arriti në 6,076 banorë, që përbën rreth 22% të totalit. Krahasuar me 2024, numri i tyre u rrit 32%. Ndryshe nga shtetasit e tjerë, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 2022, shtetasit e Kosovës mund të pajisen me Leje Qëndrimi biometrike 5-vjeçare, e cila shërben njëkohësisht edhe si Leje Pune.
Dokumenti merret përmes një procedure të thjeshtuar online dhe eliminon nevojën për aplikime të veçanta, ose rinovime të shpeshta të lejes së punës. Për këtë arsye, një pjesë e punësimeve të shtetasve të Kosovës nuk kalojnë më në të njëjtën procedurë të miratimit të lejeve të punës nga AKPA si shtetasit e vendeve të treta, duke ndikuar edhe në uljen e numrit të kërkesave të regjistruara nga agjencia.
Po ashtu, pjesa e madhe e shtetasve nga Kosova dhe Italia operojnë me bizneset e tyre në vend, për këtë arsye nuk kanë nevojë të aplikojnë për leje punësimi online. Pas Kosovës, numri më i lartë i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi në vitin 2025 ishte nga Italia me 3,776 persona që përbëjnë 14% të totalit të të huajve. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 75%.
Po ashtu, edhe italianët, si shtetas të BE-së, nuk kanë nevojë për miratim punësimi nga AKPA. Punëdhënësi ose vetë personi bën vetëm deklarimin e punësimit dhe ligji u njeh të drejtën e punësimit në të njëjtat kushte si shtetasve shqiptarë, përveç vendeve të punës që kërkojnë shprehimisht shtetësi shqiptare.
Sipas legjislacionit “Për të huajt”, pas 5 vitesh qëndrimi të ligjshëm dhe të vazhdueshëm, një i huaj mund të plotësojë kushtet për leje të përhershme; dokumenti i kësaj lejeje zëvendësohet çdo 10 vjet me procedurë automatike. Statusi i banorit afatgjatë nuk humbet vetëm sepse skadon karta 10-vjeçare.
Pra, praktikisht një shtetas italian nuk aplikon çdo vit për kërkesë punësimi, si shtetasit e vendeve që i nënshtrohen kontrollit të tregut të punës. Por mund t’i duhet të rinovojë lejen e qëndrimit sipas afatit të kontratës, derisa të fitojë leje të përhershme.
Burimi: AKPA
Baret dhe restorantet vijojnë të vuajnë mungesën e stafit, bizneset mbështeten te punonjësit e huaj
Numri i të punësuarve në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor zbriti në 56 mijë në vitin 2024. Bizneset thonë se emigracioni ka thelluar mungesën e fuqisë punëtore, ndërsa punësimi i të huajve mbetet zgjidhje për të plotësuar vendet e lira, pavarësisht kostove për trajnim profesional.
Në vitin 2024, numri mesatar i të punësuarve në sektorët e akomodimit dhe shërbimit ushqimor arriti në rreth 56 mijë punonjës, duke pësuar rënie prej rreth 2% krahasuar me vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT.
Në sektorin e shërbimit ushqimor, që përfshin baret dhe restorantet, ishin të punësuar 42,121 persona, me rënie prej 2% në raport me një vit më parë. Ndërkohë, në sektorin e akomodimit, numri i të punësuarve arriti në 13,950 persona, duke u rritur me 2% krahasuar me vitin 2023.
Edhe gjatë këtij viti, bizneset e bareve dhe restoranteve raportojnë se vijojnë të përballen me mungesën e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit. Për të mbushur vendet e lira, kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punonjës nga Mianmari, Filipinet, India dhe Nigeria, për pozicione si hostes, recepsionistë, kamerierë, kuzhinierë, ndihmëskuzhinierë dhe punonjës mirëmbajtjeje.
Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, Enri Jahja, thotë se punësimi i të huajve nuk sjell kursime për bizneset, por është kthyer në një zgjidhje të detyruar për të përballuar mungesën e punonjësve vendas. Sipas tij, edhe pse punonjësit e huaj paguhen më pak se vendasit, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë aftësitë profesionale që deklarojnë në momentin e punësimit.
“Një punonjës i huaj në sektorin e shërbimit paguhet mesatarisht nga 600 deri në 800 euro në muaj, përfshirë akomodimin dhe ushqimin. Megjithatë, shumica kanë mangësi profesionale dhe kanë nevojë për të paktën gjashtë muaj trajnim. Kjo rrit kostot e biznesit deri në nivelin e pagesës së një punonjësi vendas.
Nga ana tjetër, punonjësit vendas gjatë sezonit turistik paguhen mbi 1 mijë euro në muaj, por me orare pune që shpesh tejkalojnë 12 orë në ditë. Pikërisht këto orare po i largojnë shumë prej tyre nga sektori, pavarësisht pagave më të larta.
Në kushtet kur mungojnë ende 10 deri në 20 mijë punonjës, bizneset nuk kanë alternativë tjetër veçse të punësojnë staf të huaj”, u shpreh z. Jahja.
Ai shton se, krahasuar me vitet e kaluara, punonjësit e huaj po qëndrojnë më gjatë në Shqipëri, por kjo ende nuk përbën zgjidhje afatgjatë për tregun e punës, duke mbetur më tepër një masë emergjente.
Sipas dhënave të INSTAT, në vend operojnë rreth 15.5 mijë bare dhe restorante, nga rreth 22 mijë në vitin 2015, duke e bërë këtë aktivitet të dytin më të përhapur pas tregtisë me pakicë. Në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimit të ushqimeve dhe pijeve, ose 5.2% më pak se një vit më parë.
Referuar të dhënave të INSTAT, deri në vitin 2019, në këtë sektor ishin të punësuar rreth 45 mijë persona, ndërsa numri real vlerësohet të jetë më i lartë për shkak të nivelit të informalitetit.
Burimi: INSTAT, AKPA, Përpunime të Monitor
Skema e punësimit të të huajve mbetet e pandryshuar, pagat ende jo konkurruese në rajon
Pavarësisht rritjes në numër, të huajt që punësohen në vend rezultojnë të pakualifikuar profesionalisht. Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv i EPPC Albania & Kosovo, thotë se Shqipëria ka ende një numër të ulët të punonjësve të huaj krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas z. Pashaj, në Shqipëri, punonjësit e huaj paguhen mesatarisht deri në 630 euro në muaj dhe shumica e tyre janë punonjës të pakualifikuar dhe angazhohen në pozicionet me pagat më të ulëta, ku në disa raste nuk respektohen plotësisht standardet e punësimit.
“Në Shqipëri, punonjësit e huaj paguhen mesatarisht nga 550 deri në 630 euro në muaj.
Në nivele më të ulëta pagash renditen punonjësit nga Egjipti dhe Turqia, të cilët paguhen mesatarisht 400 – 500 dollarë në muaj, në varësi të profesionit dhe pozicionit të punës, pasi në shumë raste janë të angazhuar me kontrata të përkohshme.
Krahasuar me vendet e rajonit, punonjësit e huaj në Shqipëri paguhen më pak. Për shembull, punonjësit nga Nepali të angazhuar në supermarketet në Beograd paguhen rreth 750 euro në muaj, ndërsa ata nga Filipinet, deri në 800 euro në muaj.
Këto paga zakonisht përfshijnë edhe akomodimin, ku katër persona ndajnë një dhomë, si dhe vaktet e ushqimit.
Shumica e tyre janë të pakualifikuar dhe punësohen në pozicionet me pagat më të ulëta, ku shpesh nuk respektohen plotësisht standardet e punësimit. Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase, sektori i hotelerisë dhe turizmit po mbështetet gjithnjë e më shumë te punonjësit e huaj.
Megjithatë, punësimi i tyre mbetet kryesisht sezonal, pasi me përfundimin e sezonit turistik, mbarojnë edhe kontratat e punës.
Një tjetër sfidë është mungesa e institucioneve me kapacitete të mjaftueshme për të monitoruar dhe për të kontrolluar këtë treg. Për këtë arsye, Shqipëria nuk konsiderohet ende një vend parësor nga agjencitë ndërkombëtare të rekrutimit dhe shpesh mbetet zgjedhja e fundit për dërgimin e punonjësve të huaj.
Profesionistët më të kualifikuar të shteteve aziatike përthithen fillimisht nga ekonomitë më të zhvilluara, si Sllovenia dhe Hungaria, të cilat ofrojnë paga dhe kushte më të mira pune. Në Slloveni, 15–20% e forcës së punës përbëhet nga shtetas të huaj, në Kroaci rreth 10%, në Serbi rreth 2%, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje është vetëm 1.7–1.8%”.




