Alarm për bombë në institucionët shqiptare, Antiterrori ngrihet në këmbë, policia: Alarm fake

TIRANË- Një kërcënim me bombë ka alarmuar mëngjesin e sotëm disa institucione në qytete të ndryshme të vendit. Në adresat elektronike të institucioneve është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur një bombë.

Pas marrjes së njoftimit, Policia ka nisur menjëherë kontrollet në institucionet e përfshira, për të verifikuar nëse kërcënimi ishte i vërtetë. Nga kontrollet e kryera deri më tani, nuk është konstatuar prania e ndonjë bombe apo eksplozivi tjetër.

Njoftimi i Policisë:

Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime. Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.