FOTO/ Vrasja e 46-vjeçares italiane në spital! Kapet në Bari 40-vjeçari shqiptar, dyshohet si autor

ITALI- Një 40-vjeçar shqiptar është ndaluar nga policia italiane në rajonin e Pulias, në kuadër të hetimeve për vrasjen e 46-vjeçares Ornella Forastefano, trupi i së cilës u gjet pa jetë përpara dhomës së urgjencës në spitalin e Trebisaces.

I dyshuari është identifikuar si Elvis Metvelaj, i lindur në Shqipëri në vitin 1984 dhe me banim prej disa vitesh në Kalabri. Sipas të dhënave të para, Metvelaj dhe viktima kishin kohë që takoheshin, mirëpo marrëdhënia e tyre shoqërohej me kundërshtime nga familja e gruas e cila njihet në zonë për përfshirje të mëparshme në dosje të antimafias, edhe pse autoritetet theksojnë se krimi nuk ka lidhje me këto rrethana.

Mediat italiane raportojnë se, emri i 40-vjeçarit shqiptar nuk është i panjohur për drejtësinë italiane, pasi në vitin 2020 ai rezulton të jetë arrestuar për trafik droge. Prokuroria e Kastrovilarit po përgatit urdhërarrestin ndaj tij, ndërsa hetimet ndodhen ende në fazën e tyre fillestare.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e vendit të saktë të krimit, me dyshimin se trupi i 46-vjeçares mund të jetë transportuar më pas drejt spitalit. Ekzaminimet mjeko-ligjore, pamjet e kamerave të sigurisë dhe zbërthimi i të dhënave telefonike pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes dhe rolin e Metvelajt në këtë ngjarje.