Turizëm në errësirë! Shëtitorja kryesore e Sarandës ka mbetur pa drita, pushuesit mbeten në terr

Saranda është përfshirë nga një ndërprerje e energjisë elektrike mbrëmjen e sotme, duke lënë në errësirë shëtitoren kryesore dhe bizneset përreth.

Ndërprerja ka nisur rreth orës 21:30, në një prej orareve më të frekuentuara të mbrëmjes, kur qyteti bregdetar është i mbushur me pushues dhe turistë.

Sipas burimeve nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), shkak i ndërprerjes ka qenë ngarkesa e lartë në rrjet. Si pasojë, ka rënë një prej tre fidrave të linjës që furnizon zonën me energji.

Mungesa e energjisë ka prekur shëtitoren kryesore të Sarandës, ndërsa edhe bizneset që ndodhen përgjatë saj kanë mbetur pa energji.

Ndërprerja ndodh në kulmin e sezonit turistik, kur Saranda përjeton fluks të lartë vizitorësh. Errësira në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit mund të sjellë vështirësi për bizneset dhe shqetësim për turistët.

Nuk ka ende një informacion të detajuar mbi kohën e rikthimit të energjisë elektrike.