ELBASAN – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe atë “Shqiponja”, kanë finalizuar dy operacione të njëpasnjëshme policore të koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”, duke goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rezultat i ndërhyrjeve në aksin rrugor “Librazhd–Elbasan”, janë vënë në pranga tre persona dhe janë sekuestruar dy automjete:
Operacioni “Aksi”: U arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap duke transportuar 14 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri me synim vendet e Bashkimit Evropian.
Operacioni “Aksi 01”: U arrestuan në flagrancë shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Përrenjas, të cilët u kapën duke transportuar 10 emigrantë të tjerë të paligjshëm. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi A. R., po lëvizte pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme penale.




