Kronologjia e pengmarrjes së Nertil Buzit në Londër: Dyshohet se u torturua për 400 mijë stërlina, ndërhyrja e policisë britanike i shpëtoi jetën

Londër – Dalin në dritë detaje të reja mbi pengmarrjen e ndodhur në Londër në vitin 2022, ku viktimë ishte Nertil Buzi. Sipas rindërtimit të ngjarjes, ai u mbajt peng dhe u torturua për disa ditë nga një grup kriminal shqiptar, i cili i kërkonte familjes së tij pagesën e 400 mijë stërlinave.

Sipas dëshmive të personave që e njihnin, në zhargonin e grupeve kriminale shprehja se Buzi “kishte bërë shumë gola” nënkuptonte se ai dyshohej për mosrespektim të marrëveshjeve në aktivitetet e paligjshme, kryesisht në trafikun e drogës dhe menaxhimin e shtëpive të kultivimit të kanabisit.

Si ra në kurth

Ngjarja nisi në fund të shtatorit 2022, kur një grup kriminal me bazë në Manchester e ftoi Buzin në një hotel në lindje të Londrës, me pretekstin e një takimi për të zgjidhur mosmarrëveshje që lidhej me disa shtëpi kanabisi.

Sapo hyri në dhomën e hotelit, ai u neutralizua, u lidh me zinxhir pas radiatorit dhe iu mbyll goja me shirit ngjitës. Fillimisht, pengmarrësit i kërkuan të paguante 400 mijë stërlina, por pasi kuptuan se ai nuk i dispononte paratë në Britaninë e Madhe, e zhvendosën presionin te familjarët e tij në Shqipëri.

Telefonata me familjen dhe torturat

Nga telefoni i Buzit u realizuan video-telefonata me vëllain e tij në Shqipëri, ku ai shfaqej i lidhur dhe i dhunuar. Pengmarrësit kërcënuan se, nëse shuma nuk dorëzohej në Vlorë, ai do të ekzekutohej.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, gjatë një prej telefonatave, autorët dyshohet se e torturuan Buzin duke i shkulur thonjtë me pinca, për të shtuar presionin ndaj familjes.

Pas kësaj, vëllai i tij iu drejtua Drejtorisë Vendore të Policisë në Fier, e cila referoi rastin pranë strukturave qendrore të Policisë së Shtetit. Në bashkëpunim me autoritetet britanike u organizua menjëherë një operacion për lokalizimin dhe shpëtimin e pengut.

Operacioni i përbashkët Shqipëri–Britani

Përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar, në operacion u përfshinë Policia Metropolitane e Londrës (Met Police) dhe Agjencia Kombëtare Britanike Kundër Krimit (NCA).

Hetuesit lokalizuan zonën ku ndodhej telefoni i Buzit, vendosën nën vëzhgim hotelin dhe analizuan pamjet e kamerave të sigurisë. Dy efektive femra rezervuan dhoma në hotel për të identifikuar vendndodhjen e saktë të pengut, ndërsa përgjimet telefonike ndihmuan në identifikimin e pjesëtarëve të grupit.

Pasi u konfirmua dhoma ku mbahej Buzi, autoritetet britanike ndërhynë gjatë natës me një skuadër të armatosur. Fillimisht u përdor gaz për neutralizimin e personave brenda dhomës dhe më pas u arrestuan tre të dyshuar.

Buzi u gjet në gjendje të rënduar fizike si pasojë e torturave dhe u transportua menjëherë në spital nën mbrojtjen e policisë.

Arrestimet dhe procesi gjyqësor

Pas operacionit u arrestuan gjashtë shtetas shqiptarë, të akuzuar për rrëmbim personi, burgosje të paligjshme, kërcënim për vrasje dhe vepra të tjera penale.

Ndër ta ishte edhe Nelid Arapi, i njohur me nofkën “Kid Vlonjati”, i cili u akuzua gjithashtu për posedim të kanabisit me qëllim shitjeje. Të arrestuar ishin edhe Xhon Guveli, Fation Arapi, Armando Brahashaj, Eduart Çepele dhe Emanuela Arapi.

Pas rikuperimit, Buzi bashkëpunoi fillimisht me autoritetet britanike dhe u vendos në një banesë të mbrojtur si dëshmitar kyç i prokurorisë.

Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor në Harrow Crown Court, prokuroria hoqi dorë nga akuzat kryesore për rrëmbim, burgosje të paligjshme dhe kërcënim për vrasje ndaj pesë të pandehurve, të cilët u liruan. Vetëm Nelid Arapi u dënua më 15 prill 2024 me 16 muaj burg për posedim të kanabisit me qëllim shitjeje.

Dyshimet mbi dështimin e çështjes

Sipas burimeve të cituara, ekzistojnë dy hipoteza kryesore për rrëzimin e akuzave. E para lidhet me mundësinë që Nertil Buzi të ketë hequr dorë nga dëshmia kundër pengmarrësve. E dyta është se prokuroria mund të ketë vlerësuar se strategjia e mbrojtjes do të diskreditonte dëshmitarin, duke nxjerrë në pah pretendime për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale, çka mund të dobësonte ndjeshëm çështjen në gjykatë.

Ngjarja është rikthyer në vëmendje pas vdekjes së Nertil Buzit, i cili, sipas autoriteteve, dyshohet se vrau dy prindërit e ish-të fejuarës së tij, mori peng këtë të fundit dhe më pas i dha fund jetës. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.